Presidenti Nishani ne Rome takon Napolitanon
Presidenti Bujar Nishani u prit në një takim në Pallatin presidencial “Quirinale” nga Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano. Kreu i shtetit shqiptar evidentoi mbështetjen dhe mikpritjen që i ofroi qytetarëve shqiptarë shteti italian në momentet e një dëshpërimi të thellë pas rënies së regjimit të diktaturës dhe eksodit të shqiptarëve në perëndim. Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka treguar ndaj agjendës evropiane të Shqipërisë, duke nënvizuar se Shqipëria dhe shqiptarët janë të qartë se objektivi i tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian është që të hyjnë në BE si kontribues dhe jo si konsumatorë.
Por në gjykimin e kreut të shtetit theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat është tashmë përgjegjësi e klasës politike shqiptare dhe shprehu bindjen se marrja e Presidencës së radhës së BE-së nga Italia në vitin 2014 do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Ndërkohë, duke vlerësuar ndryshimet e rëndësishme që ka përjetuar Shqipëria vitet e fundit, Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të shumëanshëm që ekziston ndërmjet dy vendeve tona në fushën ekonomike, bashkëpunimin ndërmjet policive kufitare dhe të shtetit dhe inkurajoi forcimin e bashkëpunimit bilateral duke ftuar sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri në fushën e energjitikës, turizmit, bujqësisë, etj.
Nga ana e tij, presidenti italian Giorgio Napolitano vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet qeverive e institucioneve të tjera, duke çmuar lart edhe punën që diplomacitë e dy vendeve në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Njëkohësisht Napolitano vlerësoi rolin që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajon duke nënvizuar se Italia është e interesuar që Shqipëria të luajë rolin e saj edhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura të luajnë rolin e tyre si një faktor i stabilitetit dhe paqes në Ballkan.
Kreu i shtetit i përcolli Presidentit Napolitano ftesën për të vizituar Shqipërinë përpara pranverës së ardhshme, kohë që përkon me fundin e mandatit të Presidentit italian.
Po kështu, gjatë vizitës në Romë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Presidenti i Italisë Giorgio Napolitano vizituan ekspozitën “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, e çelur nën kujdesin e Presidentit Italian dhe Kryeministrit të Shqipërisë në Kompleksin “Vittoriano”, në kuadër të veprimtarive kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Presidenti Nishani e cilësoi ekspozitën e çelur në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në ndërtesën simbol të Pavarësisë së Italisë, Altare della Patria (Altari i Atdheut), dëshmi të miqësisë mes dy vendeve