E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: Nuk është çudi që Berisha e bën zhurmën për imunitetin për të sfumuar skandalin e përgjimeve

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, ka deklaruar në një intervistë për Shqip se opozita nuk do të tërhiqet nga zbardhja e skandalit të përgjimeve në Ministrinë e Mbrojtjes nëpërmjet Shërbimit Informativ të Ushtrisë.

Dua të garantoj opinionin publik se deputetët e opozitës as nuk e kanë çuar ndonjëherë ndërmend të tërhiqen nga përmbushja e detyrës së tyre. Ne do të ndjekim të gjitha taktikat e nevojshme për të mundësuar mbikëqyrjen e kësaj Ministrie, në mënyrë që ky institucion të jetë transparent me publikun dhe jo ti shërbejë pushtetit në dëm të shtetit, thotë ai.

Sipas Gjonit, zhurma që bëhet për imunitetin përpiqet të fshehë skandale të përmasave drithëruese.

Kjo jo thjesht se po shkelet një parim i demokracisë, por është e vetmja mënyrë për të fituar kohë, me shpresën se gjithçka po harrohet ashtu siç ndodh rëndom në vendin tonë. Mos tju duket habi që zhurma që bën Saliu mbi imunitetin a thua se atij i digjet barku për këtë të jetë një tentativë për të sfumuar super skandalin, shprehet Gjoni.

Ai pohon se institucionet po shkojnë drejt shkatërrimit dhe në drejtim të autobusit është vetë PD-ja me Saliu shofer.

Sali Berisha, Arben Imami e kompani, demokracinë e konceptojë  një mjet marketingu, ku nga njëra anë përdorin retorikën demokratike nga ana tjetër, praktikën totalitare, shtoi Gjoni.

Gjoni nuk e përjashtoi mundësinë e krijimit të një komisioni hetimor, por nënvizoi faktin e trishtë të dështimeve të tyre, si në rastin e 21 janarit dhe në rastin e Masakrës së Tivarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›