LSI: 6 gushti s`mund të jetë referencë egoizmi, PS ta votojë
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që të mos kthehet pengesë për kalimin e një ndër detyrimeve kryesore të Shqipërisë ndaj BE-së. Në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi se gushti nuk mund të jetë një referencë force dhe egozmi dhe PS nuk mund as nuk duhet të bllokojë projektligjin për kufizimin e imunitetit.
“Shpreh keqardhje për disa eksponentë të PS që refuzojnë të votojnë projektligjin për kufizimin e imunitetit, është një ndër detyrat kryesore me qëllim që Shqipëria të marrë statusin në BE, është një detyrë e lënë nga ndërkombëtarët dhe e pranuar nga politika shqiptare.Të lëmë mënjanë qëndrimet inatcore. Data 6 nuk mund të jetë një referencë force dhe egozmi të pakuptimtë që referohet nga interesa të ngushta, madje as partiake. Me 6 socialistët nuk mund dhe nuk duhet të bllokojnë këtë iniciativë” deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
Rama theksoi gjithashtu se nëse PS dëshiron të jetë në të njëjtin tren me zhvillimet e shoqërisë shqiptare duhet të votojë me 6 gusht projektligjin, të hartuar nga vetë ajo.
“Heqja e imunitetit është e lidhur me integrimin e vendit, interesat e vendit kane nevojë për kontributin e PS, për votën e saj. Nëse ajo është e interesuar të jetë në të njëjtin tren të zhvillimeve me shoqërinë shqiptare duhet të votojë me 6 gusht projektligjin, të hartuar nga vetë ajo” përfundoi Rama.