E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuetarët e horrorit hidrik

Një miku im, inxhinieri i njohur i ujërave G. S, me eksperiencë 30-vjeçare në projektimin e hidrocentraleve, u kontaktua dy ditë më parë nga një prej televizioneve tona. U pyet për sigurinë e digave. Gazetari që e intervistoi, u drodh e u përdrodh që ta bënte të thoshte se digat ishin të pasigurta. Se mund të kishin të çara, të rrezikohej katastrofa, apokalipsi, fundbota për banorët e veriut. U përpoq sa po i dilnin djersë. Intervista zgjati rreth 40 minuta. Miku im tha ato që mendonte, përsëriti se nga pikëpamja teknike dhe për sa i kishte kontrolluar ai vetë digat dy-tre muaj më parë, ato ishin tërësisht të sigurta. Gazetari shtrembëroi fytyrën, por nuk tha gjë. U ndanë me një falënderim të thatë nga ana e këtij të fundit. Miku im priti atë ditë të jepej intervista e tij. Meazallah! U dhanë në atë kohë që ishte njoftuar se do të jepej opinioni i tij, disa hamendësi të një gjoja specialisti që njëzet vjet më parë instituti ku punonte miku im e kishte larguar për paaftësi. Kuptohet që këto hamendësime afronin horrorin, apokalipsin, hidhnin ide provokuese për gjoja mundësi të çarjes së parekuperueshme të digave. “Është një televizion që në emër të vetin ka një plus, - më tha i hidhëruar për ngjarjen miku im, -por që realisht është një grumbull minusesh të dashakeqësisë dhe nxirjes së të vërtetës”. Këto prova për të përhapur panik mes njerëzve në vështirësi nëpërmjet nxirjes së të vërtetës për efekte politike, në vendet perëndimore do të ishin dënuar me gjyq. Televizioni që i përhapi, do të ishte gjobitur rëndë financiarisht ose në rast përsëritjeje, mund edhe t’i ishte hequr leja për të transmetuar. Kjo, për arsye se në raste emergjencash civile, sikurse është përmbytja në Lezhë dhe Shkodër, përhapja e panikut të rremë nëpërmjet mjeteve të informimit publik, sikurse është televizioni, mund të çojë në rrezikim të jetës së njerëzve, në mos edhe humbje të tyre. Konsiderohet terror psikologjik dhe nuk falet lehtë. Në mes të një përpjekjeje titanike të mediave të komanduara nga interesa biznesi të lidhur me opozitën, për të përçudnuar fatkeqësinë natyrore, për ta bërë atë të duket fryt i paaftësisë apo korrupsionit qeveritar, njerëzit e ndershëm si inxhinieri G. S. veçse neveriten nga ky mal të pavërtetash. “Nuk do ta hap më kurrë televizorin tek ai kanal”, - më tha miku im i revoltuar. Në tërësi, mediat e kapura nga interesa lejesh ndërtimi dhe vetë opozita janë në një lojë fare të pandershme për të shndërruar një trill të natyrës që ndodh një herë në 50 vjet në një gjyq përgjegjësish të paqena. Për gjithçka mund të gjykohet qeveria e sotme, por jo për menaxhim jo efikas të kaskadës së Drinit. Uji që u ruajt në nivele të pranueshme në nëntor, u ruajt për t’u përdorur për verë, në kohën e thatësirave. U ruajt me përgjegjësi e përkushtim për t’i kursyer ekonomisë së vendit me dhjetëra milionë euro shkarkim krejtësisht të panevojshëm në atë kohë, pse në botë dhe në institucionet më moderne, edhe në NASA-n amerikane, koha, moti nuk mund të parashikohet veçse me vetëm 9 ditë përpara. Asnjë nuk ishte në gjendje të parashikonte se ç’do të bënte natyra dy-tri javë më vonë. Ja përse uragani “Katrina” bëri ato dëme që bëri në SHBA. Prurjet e jashtëzakonshme të Drinit gjatë ditëve të fundit të vitit 2009 dhe gjithë këtyre ditëve të para të janarit 2010 nuk mund se si të parashikoheshin. Nuk ka asnjë fije nënvleftësimi apo papërgjegjshmërie, për të mos folur për tentativë korrupsioni, sikurse rreket ta paraqesë gjendjen opozita. Është një përpjekje e mjerë. E gjithë bota, edhe NATO-ja, e ka pranuar përmbytjen në Shqipëri si fatkeqësi natyrore, prandaj dhe dërguan e po dërgojnë mjete evakuimi dhe ndihma humanitare. Vetëm opozita jonë shprehet se erdhi nga shkaqe jonatyrore. Vetëm ajo, njëlloj si një hienë, kërkon të ushqehet me mishin e ngordhur të së pavërtetës. Duke vepruar kështu, ajo largohet edhe nga baza e socialistëve që kanë sy në ballë dhe e kuptojnë se çfarë ndodhi në Lezhë e Shkodër, ishte ndërthurja e disa kushteve jashtëzakonisht të vështira të motit. Nga këto kushte, janë përmbytur qindra mijëra hektarë tokë në Austri, Slloveni apo Çeki, madje ka pasur edhe viktima. Por, asnjë opozitë e këtyre vendeve nuk e ka akuzuar qeverinë e vet për korrupsion apo ta ketë quajtur fatalitetin natyror si të ardhur nga shkaqe jonatyrore. Vetëm tek ne ndodh një dukuri e tillë, që amplifikohet nga mediat gjahtare të horrorit, apokalipsit hidrik.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›