Nuk pamë asnjë defekt në menaxhimin e krizës
Nuk është as krizë humanitare, nuk është as tragjedi. Mund të ishin që të dyja, nëse Shqipëria do të kishte një shtet të dobët dhe një qeveri që nuk arrin të menaxhojë situata të emergjencave civile si rasti i përmbytjeve në Shkodër. Pra, në rastin e një qeverie të dobët do të kishim njerëz të izoluar në shtëpi me gjysmën e tyre të përmbytur, me probleme të mëdha ushqimi, transporti dhe mjekimi; do të kishim shtëpi të shembura nga uji dhe njerëz që në përpjekje të ndryshme mund të ishin përpirë prej masës së madhe ujore që ka mbuluar disa prej fshatrave të Shkodrës.
Por është një dramë e prodhuar nga moti me reshje të shumta bore dhe më pas shkrirje të shpejtë të borës përgjatë gjithë rrugës që bën lumi Drin nga liqeni i Ohrit e deri në Shkodër, përgjatë gjithë kaskadave dhe furnitorëve edhe më të vegjël ujorë të këtyre kaskadave.
Është një përmbytje e detyruar, të cilën nuk e ke në dorë se sa do ta kufizosh, por ama e ke në dorë të aktivizosh të gjitha kapacitetet që në proporcion me dramën të shmangësh pasojat dhe të ndërtosh një ambient të sigurt prej kësaj përmbytjeje.
Prej ditës së parë të vërshimit të ujërave në disa prej fshatrave në breg të lumenjve Drin dhe Bunë, qeveria aktivizoi skemën e parandalimit dhe shmangies së efekteve të rënda njerëzore dhe materiale nga përmbytja. Ndërhyrja ishte e shpejtë dhe mjaft e organizuar. Ndoshta për herë të parë administrata shqiptare qe në gjendje që t’i përgjigjej një prag katastrofe me resurset e veta materiale dhe njerëzore. Brenda një kohe të shkurtër forcat ushtarake dhe policore, të koordinuara shumë mirë, ndërhynë në situatë, ndërsa qeveria drejtoi dhe monitoroi operacionin, vazhdon ta bëjë këtë gjë, brenda zonës së përmbytjes, duke transferuar një pjesë të kabinetit në qytetin e Shkodrës.
Nuk është thjesht gjest prania fizike e qeverisë ngjitur me të përmbyturit, por afektimi i kësaj qeverie me ata që e kanë pësuar nga derdhja e digave ndodh më mirë në terrenin ku luhet kjo dramë, e cila ka surprizat e saj varësisht prej motit.
Asnjëherë më parë në një situatë të pazakonshme, nuk ka pasur kaq pak qortime për një qeveri sesa kësaj radhe.
Pothuajse asnjë media nuk ka verifikuar defekte serioze në menaxhim të skemës antipërmbytje, as opozita nuk ka verifikuar defekte të menaxhimit të aksionit qeveritar në komunat rreth Shkodrës.
Opozita është shprehur për defekte në menaxhimin e kaskadës së Drinit, një hipotezë kjo lehtësisht e verifikueshme, për shkak se ka një rregullore që trajton sjelljen me sasinë e prurjeve në diga, ka procesverbale ditore në të gjitha hidrocentralet lidhur me operacionet që kryhen përgjatë gjithë ditës me prurjet.
Pavarësisht se përmbytja është një fatkeqësi për mijëra banorë të atyre zonave dhe një hall më shumë për “qeveritë” lokale e qeverinë qendrore, ajo ka qenë një provim i madh për administratën shqiptare. Një provim që duket se po kalohet me sukses, për shkak se ka skema të qarta sjelljeje të institucioneve në rast fatkeqësish natyrore, ka zbatues rigorozë të këtyre skemave, ka guxim në marrjen e vendimeve dhe të vendosur për t’i shkuar deri në fund realizimit, ka kapacitete të cilat bëjnë të mundur qeverisjen në kohë dramash dhe ka lojtarë politikë e menaxherë që dinë të sillen në situata alarmi.
Këto janë kritere të tjera që duhen plotësuar nga një shtet i pjekur me një administratë serioze, ushtri të stërvitur, polici me kurajo dhe qytetarë të dëgjueshëm e bashkëpunues në raste të jashtëzakonshme.
Nga ditët e para të janarit e deri me sot, nuk kemi parë asnjë çast diletantizmi dhe papjekurie në sjelljen e qeverisë apo administratës ndaj ngjarjeve të motit në Shkodër. Urojmë që kjo sjellje të vazhdojë dhe për më tepër të jetë një përvojë e ngulitur, edhe nëse ndodhin raste të tjera. Deputetët dhe zyrtarët e opozitës bëjnë mirë që shkojnë në zonat e përmbytura, do të bënin mirë t’i bashkëngjiteshin edhe Komisionit të Emergjencës, për të përfituar nga kjo përvojë. Ndoshta do t’u duhet ndonjëherë, kur ata do të vijnë në pushtet.