E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq/Deti 9 ballë vonon tragetet

Moti i keq ka vështirësuar lëvizjen e trageteve në portin e Durrësit. Nga 4 tragete të cilët duhej të ankoroheshin në port dje paradite, vetëm njëri, ai i linjës Bari - Durrës është ankoruar. Kapiteneria informon se dy tragete të tjera që janë nisur nga Bari do të ankorojnë në port gjatë orëve të pasdites. Ndërkohë, trageti i linjës Trieste - Durrës që duhej të mbërrinte dje pasdite, është ndaluar në ishujt kroatë ku ka kaluar natën në pritje të qetësimit të detit. Mësohet se deti është me dallgë 8-9 ballë, ndërsa nuk janë të favorshme as shiu i rrëmbyeshëm dhe era e fortë që ka përfshirë të gjithë pjesën bregdetare. Edhe në gjirin detar të Durrësit kushtet atmosferike parashikohen të jenë të paqëndrueshme. Vlerat e ulëta të presionit atmosferik do të ndikojnë për një mot me zhvillime të dendura resh, erë të fortë dhe reshje shiu. Burime të kapitenerisë së portit të Durrësit bënë të ditur se "era do të ketë drejtimin jug-jugperëndim me shpejtësi 8-10 m/sek dhe 14-16 m/s në afërsi të bregut, ndërsa valëzimi parashikohet në 3-4 ballë në hapësirën detare brenda gjirit dhe 6-7 ballë në det të hapur". Tragetet e linjës Durrës - Brindizi dhe Durrës - Bari pritet të nisen drejt portit italian në orët e mesditës dhe pasdites së nesërme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›