E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuetarët e qenve

Komuna e Prishtinës vazhdon të tregohet e pamëshirshme ndaj qenve endacakë. Në vend që t’i sterilizojë apo vaksinojë, përgjegjësit komunalë zgjedhin rrugën më të lehtë. I vrasin. Express përcolli aksionin e fundit të “gjuetarëve të qenve”. Nga Lirita Halili më 16 prill 2011 në ora 08:35

Derisa në mbarë botën, qenve endacakë u gjendet një zgjidhe për të jetuar, në Kosovë ndodh e kundërta.
Ata vriten.

Që nga koha e pasluftës në Kosovë, Komuna e Prishtinës ndërmerr aksion për eliminimin e qenve të rrugës, duke urdhëruar vrasjen e tyre. E, me këtë çështje merren disa gjuetarë.

Njëjtë sikurse çdo vit, edhe sivjet Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksionin për eliminimin e këtyre qenve endacakë. Ky operacion ka filluar në orët e vona të së enjtes, për të vazhduar edhe në ditët në vijim, derisa të zvogëlohet dukshëm numri i tyre.

Po kjo natë, nuk është se tregoi shumë sukses. Fishekët e vegjël, me të cilat këta gjuetarë ishin detyruar t`i vrisnin qentë, nuk funksiononin.

Gjatë tri orëve të para, këta gjuetarë arritën t`i vrisnin vetëm 3 qen endacakë, duke lënë kështu edhe shumë të tjerë të plagosur.

Prandaj, duke parë se me plumbat që ua kishte rekomanduar Policia e Kosovës, aksioni po u dështonte, gjuetarët vendosën t’i zëvendësonin ata me fishekë më të mëdhenj gjuetie, të cilët kryenin punë shumë më mirë.

Por përveç armëve, të cilat nuk ishin shumë funksionale, edhe numri i gjuetarëve që ishin mobilizuar në krye të aksionit, ishte shumë i vogël. Ishin vetëm 3 gjuetarë, kundër një numri të madh të qenve endacakë që sillen nëpër Prishtinë.

Kjo ka bërë që vetëm gjatë ditës së parë të operacionit, gjuetarët të vrasin hiç më shumë se 9 qenë. Sipas policisë, gjatë ditës së parë të aksionit, kanë qenë 28 gjuajtje, 19 prej tyre të dështuara.

Sidoqoftë, operacioni për eliminim të qenve endacakë, të cilin Komuna e Prishtinës e ka parë si opsionin më të mirë të mundshëm, të tjerët vrasjen nuk e shohin si zgjidhe përfundimtare.

Florim Ferati, udhëheqësi i Qendrës kosovare për strehimin dhe trajnimin e qenve endacakë, thotë se asnjëherë nuk është pajtuar me vendimin që merr Komuna e Prishtinës lidhur me fatin e qenve endacakë.

“Ne nuk e përkrahim dhe asnjëherë nuk jemi pajtuar me formën se si Komuna reagon ndaj këtyre kafshëve. Përveç kësaj, edhe krismat gjatë natës janë jonjerëzore”, tregon Ferati për Express.

Ferati thotë se për t`i ikur këtij fenomeni, i cili sipas tij, nuk është i këndshëm as për kafshët e as për njerëzit, është munduar të kontaktojë me Komunën e Prishtinës, për t’ia ofruar shërbimet që kryen qendra të cilën ai e udhëheq. “Qëllimi ynë është sterilizimi dhe vaksinimi i kafshëve, siç ndodh në gjithë botën. Sepse, kjo është e vetmja zgjidhje për ta treguar humanitetin ndaj kafshëve dhe për ta falë një jetë”, pohon Florim Ferati, i cili thotë se kërkesa e tij, fatkeqësisht është adresuar në vesh të shurdhër.

“Kam aranzhuar një takim me zyrën e Shërbimeve Publike, kam biseduar me drejtorin, por nuk kemi gjetur mirëkuptim. Madje, nuk kanë gjetur kohë as të vijnë ta vizitojnë qendrën tonë”, u shpreh ai.

Ferati thotë se mënyra se si Komuna e bën eliminimin e qenve endacakë, nuk mund të jetë kurrë e suksesshme. Kjo sepse sipas tij, qentë i kanë shqisat e të nuhaturit dhe të dëgjuarit, shumë të zhvilluara. “Kur një qen dëgjon të shtënat, ai do të ikë sa më larg, në mënyrë që t’i shpëtojë vrasjes. Prandaj, gjuetarët kurrë nuk do të mund ta bëjnë eliminimin total”, rrëfen ai. Florim Ferati, sipas të cilit ndodh shpesh që disa nga qentë përgjatë aksionit mbesin të plagosur, e që një situatë e tillë përbën një rrezik shumë të madh për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.
“Prandaj, mënyra e vetme më e mira është sterilizimi, vaksinimi dhe etiketimi i qenve me vath në vesh. Sepse, këta qen më as nuk janë të rrezikshëm ndaj njerëzve”, u shpreh ai.

Ndryshe, vrasja e qenve endacakë brenda qytetit të Prishtinës, ka nisur në mbrëmjen e së enjtes në orën 00:00 dhe ka përfunduar në orën 07:00 të mëngjesit, të premten.
Kurse në fshatra, vrasja e qenve endacakë filloi në orën 07.00 të mëngjesit, për të vazhduar deri në orën 14.00, pasdite.

Operacioni do të vazhdojë derisa të zvogëlohet dukshëm numri i qenve endacakë, në qytetin e Prishtinës dhe në fshatrat përreth.

Aksioni mbikëqyret nga Drejtoria për Shërbime Publike e Komunës së Prishtinës dhe asistohet nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës (PK-së). Mbytjen e qenve e bën Shoqata e gjuetarëve “Fazani”. Ndërkaq, për transportimin, groposjen dhe dezinfektimin e vendit ku do të vriten dhe ku do të groposen qentë endacakë, do ta bëjë NK “Hortikultura”. Qentë e vrarë groposen në Marash të Obiliqit.

Organizata për mbrojtjen e kafshëve

Në Kosovë ndodhen me qindra dhe mijëra qen endacakë, edhe pse nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare për numrin e tyre. Qentë endacakë në Kosovë mund të bëhen një kërcënim për sigurinë publike, por gjithashtu ata bëhen viktima nga aksidentet rrugore si dhe nga sëmundjet. Kurse ata më të pafatët qëllohen nga njerëz më pagesë, siç është urdhëruar nga disa prej komunave. Kjo situatë duhet të ndalohet. Ekzistojnë burime për një alternative dhe një zgjidhje më efektive. Komunat duhet te shpenzojnë paratë e tyre në menaxhimin e fushatës për sterilizimin, vaksinimin dhe trajtimin e këtyre qenve të pastrehë. Kjo është mënyra e vetme e eliminimit të pranisë së qenve endacakë, reduktimit te dukshëm të tyre, si dhe ndikon në parandalimin e shumë sëmundjeve të transmetueshme nga qentë, në njerëz.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›