E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u shkri FER’i?

Vetëvendosje nuk ishte dera e parë ku FER trokiti për t’u shkrirë pas dështimit në zgjedhje. Zyrtarë të saj kanë biseduar edhe me AAK’në dhe LDK’në. Në fund, pas shpinës së disa prej themeluesve të FER’it, Shpend Ahmeti arriti marrëveshje me Albin Kurtin. Nga Faton Ismajli më 16 prill 2011 në ora 08:30

Para se të shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje, zyrtarë të ish-Partisë Fryma e Re kanë biseduar edhe me AAK’në dhe LDK’në për mundësinë e bashkimit.

Pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, një pjesë e themeluesve të FER’it nuk kishin parë më shpresë për të vazhduar rrugëtimin politik vetëm, mirëpo kanë kërkuar strehë te partitë e tjera që kishin arritur të futen në Parlament.

Fryma e Re ishte ndarë keq me rezultatet zgjedhore, duke mos arritur ta kalojë pragun zgjedhor.

Disa ish-zyrtarë të FER’it, të prirë nga Shpend Ahmeti, kishin biseduar me udhëheqësit e AAK’së për mundësinë e bashkimit. Por, asgjë konkrete nuk ishte arritur në takimet e zhvilluara me Daut Haradinajn dhe Ardian Gjinin.

“Kemi pasë qejf me i pasë në Aleancë, por megjithatë ata s’janë shku larg”, ka thënë Daut Haradinaj për Express, të enjten.
Ai ka rikujtuar takimet me Shpend Ahmetin.

“Po, kam pasë takime edhe pas 12 dhjetorit dhe vazhdojë të kem, sepse e çmoj për një djalë të përgatitur dhe mendoj se i duhet Kosovës një tip i tillë Kjo është një histori e vjetër dhe mendoj personalisht unë kam pas takime dhe do të vazhdoj të kem takime me Shpend Ahmetin, kam respekt për të”, ka thënë ky zyrtar i AAK’së.

Sipas Haradinajt, nuk ka pasur negociata klasike për bashkim, por vetëm biseda dhe ballafaqim idesh.

“Negociata nuk ka pasur, por ka pasur biseda dhe shpalosje të ideve, jo negociata në kuptimin klasik. Takime ka pasur edhe para se të formohet FeR’i. Kur është formu FeR’i kemi vazhdu takimet kolegiale dhe ashtu do të jenë edhe në të ardhmen”, ka shtuar Haradinaj.

Po ashtu, sipas burimeve të Expressit, disa zyrtarë të FER’it kanë biseduar edhe me zyrtarë të LDK’së, por, as me ta nuk kishin arritur të konkretizonin diçka.
Mirëpo, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri thotë se nuk është në dijeni për këto bisedime.

“Sa jam unë i informuar nuk kemi pasur kurrfarë takimi me zyrtarët e FeR’it. Nuk kemi pasur takime për shkrirjen e FeR’it në LDK. Ne jemi parti serioze dhe në qoftë se do të kishte pasur iniciativa të tilla, ne do t’i kishim diskutuar edhe në Kryesinë e partisë”, ka thënë Ismet Beqiri i LDK’së.

Takimet me drejtuesit e AAK’së dhe LDK’së, sipas burimeve të Expressit, janë zhvilluar pa konsultime paraprake me drejtuesit e FER’it.

“Shpend Ahmeti ka folur me partitë e tjera, pas shpinës së disa prej themeluesve të partisë”, ka thënë burimi i gazetës.

Shpend Ahmeti nuk dëshiron të flasë shumë për këtë temë, tash që ka bërë vend për vete në Vetëvendosje.

“Gjatë funksionimit të partisë FER, ne kemi pasur takime dhe konsultime të vazhdueshme me të gjitha partitë në Kosovë për të diskutuar rrjedhat politike, mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk bën të përzihet me vendimin e partisë FER për t’u bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Ahmeti, në një përgjigje përmes postës elektronike.

Ky ish-zyrtar i FeR’it nuk ka sqaruar se kush i ka zhvilluar bisedat me partitë e tjera dhe sa prej ish-themeluesve të partisë kanë marrë pjesë në vendimet përfundimtare.

Ashtu siç ka kërkuar Ahmeti, Expressi i ka dërguar dy herë pyetjet nëpërmjet postës elektronike, por ai nuk ka dhënë përgjigjeje konkrete në pyetjet e parashtruara.

“Vendimet e partisë Fryma e Re, që nga themelimi janë marrë nga strukturat udhëheqëse të partisë të përcaktuara edhe me statut”, ka thënë Shpend Ahmeti.

Megjithëkëtë, disa ditë para publikimit të vendimit për kalimin e FER’it në Vetëvendosje, disa prej themeluesve të partisë nuk janë parë afër Ahmetit.

Dy prej nëntë themeluesve të Frymës së Re, Ilir Deda dhe Qëndrim Gashi nuk i janë bashkuar nismës së tij.

Ata tashmë janë inkuadruar në Presidencë.

Gazeta Express ka bërë përpjekje të kontaktojë Dedën dhe Gashin, dy ditë rresht, por ata nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, themeluesja tjetër e FER’it, Valdete Idrizi konfirmon se askush nuk e ka kontaktuar për vendimin e partisë për kalimin në Vetëvendosje.

Ajo thotë se në kohën kur është marrë vendimi, ka qenë në trajtim mjekësor.
“Statusi im momentalisht është neutral”, ka hënë Idrizi, e cila është në pushim mjekësor.

Partia FER është formuar pak javë para zgjedhjeve të 12 dhjetorit të vitit të kaluar.

Ky subjekt përbëhej nga ish-personalitete të fuqishme të shoqërisë civile dhe nga njerëz pa përvojë politike, por me shkollim të mirë jashtë vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›