E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuetia ilegale, kafshët e egra drejt shfarosjes

POGRADEC - Grupe gjahtarësh të huaj nën shoqërinë e "korrierëve" vendas, prej kohësh po masakrojnë kafshët dhe shpendët e egra në Pogradec. Të dielën në darkë, në një hotel buzë liqenit mbërritën disa xhipa me disa gjuetarë të huaj, të shoqëruar me vendas së bashku me gjahun e ditës. Ata shkarkuan 10 lepuj të vrarë, një numër të madh thëllëzash mali e fushe si dhe disa shapka. Burime për "Gazeta Shqiptare" konfirmojnë se ky është gjahu i një dite të vetme, ndërkohë që ky grup gjahtarësh të huaj do të qëndrojë në Pogradec për 10 ditë. Paqësor Gorellari, sekretari i shoqatës së gjuetarëve, thotë se "ka mbi 15 vjet që vijnë rregullisht në Shqipëri gjuetarë të huaj, sidomos nga Italia dhe Greqia, të cilët shoqërohen nga tregtarë dhe matrapazë vendas, që janë futur në garë kush të sjellë sa më shumë gjuetarë të huaj në vendin tonë". Sipas tij, ky fenomen po shkakton një masakër mbi kafshët dhe shpendët e egër. "Në emër të futjes sa më shumë të biznesmenëve të huaj dhe turistëve janë krijuar disa agjenci me gjuetarë të huaj, të cilët jo vetëm që gjuajnë edhe në sezonin e ndaluar, por përdorin mjete ndjellëse të ndaluara të ushtrimit të gjuetisë si, regjistratorë zëri të kafshëve dhe të shpendëve, të cilat i ndjellin tek vendi i pritës. Përdorimi i prozhektorëve të fuqishëm nga ana e gjahtarëve ilegalë është shfarosës", - shton ai. Mësojmë se mishi i këtyre kafshëve dhe shpendëve të egra që gjuhen në trevat tona, shkon për klientelën e restoranteve të njohura në vendet fqinje. Specialistët thonë se nga kjo gjueti pa kriter janë zhdukur apo po shkojnë drejt zhdukjes dhe shumë kafshë apo shpendë të rrallë. Ndër to specialistët përmendin fazanin, thëllëzën e fushës, kaprollin, derrin e egër (ky drejt zhdukjes), thëllëzën e malit etj. (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›