E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuha Shqipe albanologët mblidhen në Prishtinë

PRISHTINE-Nga sot në Prishtinë ka filluar Seminari i 29-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare.
Sesioni ne shqip i BBC ben te ditur se për 12 ditë sa do të zgjasë ky seminar do të lexohen rreth 150 njoftime nga emra të njohur të albanologjisë nga vende të rajonit dhe bota.

Seminari në sesionin shkencor të tij, do të trajtojë dy tema, nga fusha e gjuhësisë "Kontaktet e sotme të shqipes", nga letërsia do të trajtohet “Poezia e sotme shqipe”, ndërkaq tryeza e sivjetme e këtij seminari do t’i kushtohet nobelistes shqiptare Nënë Tereza, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj.

Drejtori i këtij seminari Liman Matoshi, ka thënë per BBC se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën tashmë është shndërruar në institucionin më të lartë shkencor të albanologjisë në botë.

“Ky seminar ka aktivizuar një armatë të tërë shkencore, e cila merret me çështje të ndryshme të fushave albanologjike dhe presim që t’i zhvillojë dhe t’i avancojë studimet shqiptare”.

Seminari i 29-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare do të tubojë më se 150 studiues nga vendi dhe bota dhe mbi 80 kursistë të gjuhës shqipe, për të cilët mësimi i shqipes është organizuar në tri nivele të kurseve. Zoti Matoshi ka thënë se interesimi i albanologëve këtë vit është akoma më i madh.

“Seminari ka zgjuar interesim të madh edhe te studentë e studiues të huaj dhe te ata shqiptarë, saqë objektivisht nuk mund të pranohen të gjitha kërkesat për të qenë pjesë e punës së seminarit.

Disa nga emrat të njohur që do të marrin pjesë janë: Oliver Shmid nga Austria, Stvan Shud nga Hungaria, arvanitasi Nikos Tilos dhe shumë emra të tjerë”.

Blerta Ismajli, sekretare e këtij seminari, thotë se këtë vit ka pjesëmarrës nga shumë vende të botës, disa prej të cilave kanë qendra për studimin e albanologjisë.

“Kemi pjesëmarrës nga shumë vende të botës, nga SHBA-të, vende të ndryshme të Evropës dhe nga Polonia e Rusia, si vende ku ekzistojnë qendrat e studimeve albanologjike”, tha Blerta Ismajli per BBC.

Gjatë ditës së djelë pjesëmarrësit e këtij edicioni kanë arritur në Prishtinë.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare cilësohet si ngjarja më e madhe e kësaj fushe.

Që nga themelimi i tij në vitin 1974, kanë marrë pjesë qindra gjuhëtarë e studiues të njohur të albanologjisë nëpër botë. Seminari ka arritur që ta përhapë në masë të madhe shkencën e albanologjisë dhe kulturën shqiptare në shumë vende të botës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›