E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuhëtarët: Dëmtimi i terminologjisë shqipe vjen nga keqpërdorimi i gjuhës

Zhvillohet konferenca shkencore Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe, probleme e detyra
Dëmtimi i terminologjisë shqipe vjen nga keqpërdorimi i gjuhës, kështu u shprehën dje gjuhëtarët nga Shqipëria dhe Kosova në konferencën shkencore "Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe, probleme e detyra. Konferenca e parën llojin e saj mbi këtë temë u organizua dje në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë. Në këtë konferencë, të organizuar nga Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, u theksua se terminologjia mbetet problem parësor në botën e globalizmit. Ardian Marashi drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, theksoi në kumtesën e tij në këtë konferencë se roli i terminologjisë është parësor.Roli i terminologjisë është parësor, pasi terminologjia shërben edhe si kapital i të gjitha mjeshtërive dhe dijeve që huazohen nga bota, pohoi Marashi. Më tej në fjalën e tij ai vijoi të tregonte se në botë janë marrë masa të shumta për të ruajtur terminologjinë e çdo gjuhe, ku ai përmendi Francën dhe Kanadanë. Në Francë, në çdo ministri apo institucion shtetëror funksionon dhe një sektor, i cili rregullon dhe pastron terminologjinë,po ashtu dhe në Kanada ekziston një fjalor me më tepër se tre milion fjalë me terma dhe veprimtari të ndryshme; Organizata e Kombeve të Bashkuara ka në shërbim të saj dhe një sistem të referencës dhe terminologjisë, etj, tregoi Marashi. Ndërsa drejtori i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Gudar Beqiraj theksoi në fjalë e tij rëndësinë e kësaj konference, pasi ajo u shërben të gjithë shqiptarëve. Është një konferencë shumë e rëndësishme në fushën e gjuhësisë, por kjo na shërben të gjithëve. Unë kam qenë një nga kontribuesit për projektin që ne kemi së bahsku me Akademinë e Shkencave të Kosovës, por jo në pozicionin që kam sot, por si matematikan, për të realizuar këtë fjalor që është i domosdoshëm që ne të mos kemi terma me shumicë të huaj. Nga këto kumtesa që u mbajtën aty unë megjithëse nuk jam i fushës i dëgjova me vëmendje dhe kënaqësi, tha drejtori Beqiraj.  Në kumtesën e tij zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, theksoi se: "Megjithëse ndër vite, që prej rilindësve e në vijim, janë marrë masa për ruajtjen e terminologjisë, sot në Shqipëri kjo fushë ka ende probleme. Por pjesë e rëndësishme  e kësaj konference ishin dhe kritikat nga gjuhëtarët. Duke kritikuar terminologjinë e përdorur në media nga politikanët dhe biznesmenët, prof. Hëna Pasho theksoi se: Dëmtimi i terminologjisë vjen dhe nga keqpërdorimi i gjuhës. Si tipar më të dukshëm të këtij dëmtimi, prof. Pasho cilësoi huazimin e fjalëve nga gjuhët e huaja, të cilat e kanë dhe në gjuhën tonë një term të barazvlefshëm. Prof. Agron Duro nga Instituti i Gjuhësisë tregon se problemi themelor është dëmtimi i terminologjisë shqipe nga ato të huaja. Sigurisht që kjo është konferenca e parë që bëhet për terminologjinë dhe është një bilanc që nga Rilindja, që nga punët që janë bërë për terminologjinë në atë kohë. Problemi themelor ka qenë ndërtimi i terminologjisë sa më shqip, dhe ne sot jemi në këto hulli punësh që bëhen për shqipërimin e terminologjisë. Shqipërimi i terminologjisë është njëra anë e problemit dhe ana tjetër me sistemimin e terminologjisë, që ka të bëjë me hartimin e fjalorëve treminologjikë dhe sidomos pasqyrimi i terminologjisë, jo vetëm në fjalorët terminologjikë, por dhe në fjalorët gjuhësorë. Edhe në këta fjalorë janë një numër i madh tremash. Sipas llogaritjeve vetëm fjalori i vitit 1980 ka rreth 10mijë terma të pastra,që do të thotë që janë të identifikuara, por ka dhe probleme të tjera që lidhen me termat në tekste, ku përplasen termi i huaj me atë shqip. Këtu në radhë të parë del si problem teknologjia e informatikës. Ne këtë e quajmë terma dytësorë, p.sh mouse, mi apo miush në fjalorin e vitit 2006, theksoi prof. Duro. Më tej sipas tij termat në gjuhën angleze janë të pashmangshëm në gjuhësh shqipe. Them se futja e anglishtizmave në gjuhën shqipe është një dukuri e papërballueshme dhe nuk ke se çti bësh se këto terma futen në sasi të mëdha, dhe ka dy probleme. I pari është se ato mund të jenë të vetme dhe nuk gjejnë një në shqip, por kur ka të tjera si p.sh. pasword mund ti thuash fjalëkalim, kështu që nga ana e standardizimit të terminologjisë dalin shumë probleme dhe më themelori është se cilët duhet të zgjedhësh. Problemi është që me forcat e përbashkëta të punohet në fushën e terminologjisë, pra gjuhëtari, terminolog dhe specialist, të cilët duhet të jenë të tre bashkë. Deri tani të metat themelore nisen pikërisht nga mos bashkërendimi i punë së këtyre tre hallkave, cilësoi ndër të tjera gjuhëtari Duro. Nga Akademia e Shkencave të Kosovës prof. Latif Susuri thekson se: Kjo është konferenca e parë e kësaj natyre për terminologjinë shqipe. Gjuha shqipe në Kosovë është në nivel të zhvillimit,por dhe ne kemi pasur shumë probleme për sa i përket ndikimit të serbokroatishtes të gjuhën shqipe, që flitet në Kosovë. Kjo është hasur më shumë në përkthimet e ndryshme, por tani po shkon mirë pasi ka shumë fjalor terminologjikë dhe ka shumë punime shkencore. Ne me gjithë ato punime që ne kemi bërë me fjalorët duhet të ekzistojë një bankë e të dhënave, ku të grumbullohen, sistemohen dhe do të ruhen që mos të humbi, dhe të shkojë drejt standardizimit të përdorimit të termave. Përdorimi i tremave nga gjuha angleze në atë shqipe shumë herë nuk kuptohet nga njerëzit, theksoi prof. Susuri. Ndërkohë që sipas tij, mbajtja e kësaj konference do të behet tashmë një traditë dhe do të vazhdojë dhe në Kosovë.

Last Updated on Saturday, 20 June 2009 06:44

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›