E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në spitale, stafilokoku pushton sallat operatore

MSH pranon nivelin e lartë të baktereve në spitale dhe kryesisht në sallat e operacionit
Mikrobet dhe infeksionet kanë pushtuar keqazi spitalet tona dhe kryesisht sallat e operacioneve. Shfaqja e mikrobeve dhe e baktereve kanë sjellë probleme të shumta në shëndetësi, me pasoja të rënda për shëndetin e pacientëve. Ajo që po e vuan më shumë këtë ndotje është pikërisht qendra spitalore më e madhe në vendin tonë Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza Tiranë. Sallat e operacioneve nuk dezinfektohen e as nuk sterilizohen duke i krijuar një ambient të rehatshëm mikrobeve të shumta që arrijnë të depërtojnë me lehtësinë më të madhe në plagët e pacientëve që operohen për çdo ditë në këto salla.Mungesa e theksuar e higjienës ka sjellë shfaqjen e herë-pashtershme të mikrobeve vdekjeprurëse siç është ai i stafilokokut.
Krerët e shëndetësisë pranojnë pa druajtjen më të vogël ndotjen e sallave
Shqipëria zë vendin e parë në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian për sa i përket nivelit të ndotjes bakteriologjike të sallave të operacioneve si dhe të ambienteve spitalore. Kjo deklaratë e frikshme është bërë nga vetë krerët e shëndetësisë të cilët pranuan pa ndrojtjen më të vogël se spitalet tona janë të ndotura në nivele alarmante. Sipas kreut të Shoqatës së Reanimatorëve, Tritan Shehu, Shqipëria ka nivelin më të lartë të infeksioneve spitalore krahasuar me Evropën. Në konferencën e 9-të të reanimacionit në Shqipëri, ministria e Shëndetësisë Anila Godo, ka shtruar si kërkesë standardizimin e spitaleve rajonalë dhe të  rretheve, si dhe ngritjen e sektorëve të traumës në këto spitale. Në konferencën e 9-të të reanimacionit, është diskutuar për shtrirjen e këtij shërbimi e këtij shërbimi edhe në sektorin e urgjencave.
Sallat e operacioneve pa dezinfektim, nuk premton koha nga operacionet e shumta
Ngarkesa e lartë e operacioneve që kryhen brenda një dite në sallat e operacioneve nuk lënë kohë që të kryhen dezinfektimet dhe sterilizimet e nevojshme. Operacionet e planifikuara si dhe ato që janë urgjente janë të shumta në një ditë dhe jashtë normës së lejuar duke mos i lënë kohë kirurgëve që të ndërrohen me njëri tjetrin. Kjo mbingarkesë si dhe mungesa e sallave të reja nuk ju lë kohë specialistëve që të kryejnë dezinfektimin e sallave si dhe sterilizimin e mjeteve të punës. Gjë e cila shkakton ndotje të tmerrshme bakteriologjike duke shkaktuar pasoja të mëdha për shëndetin e pacientëve.
Mungesa e higjienës gjunjëzon shëndetësinë
Mungesat e detergjenteve për të pastruar ambientet e spitalit, nuk e fshehin frikën e personelit mjekësor se ky problem do të reflektohet mbi infeksionet që do marrin pacientët. Sipas mjekëve, ata që i vuajnë këto mangësi janë sidomos pacientët, pasi infeksionet që mund të marrin, sidomos ata që operohen, mund t'u shkaktojnë dëmtime të rënda, deri në vdekje. Ndërsa sanitaret theksojnë se prej disa muajsh kanë bërë kërkesa për të marrë detergjente, por askush nuk e ka zgjidhur këtë problem. "Po lajmë vetëm me ujë dhe klor dhomat e pacientëve dhe sallat e operacioneve- pohojnë sanitaret. I gjithë personeli i mjekëve dhe i sanitarëve shprehen të frikësuar përballë kësaj situate. Sipas tyre ata i tremben shume shfaqjes së mikrobeve që mund të shkaktojnë infeksione të shumta dhe të rrezikshëm. Ato që e vuajnë këtë situatë më shuam janë vetë pacientët. Ata shprehen se është absurde që të vish në spital për tu kuruar për një sëmundje dhe të dalësh me infeksione të tjera. Ata që tremben më shumë janë pacientët që janë të detyruar të kryejnë operacione pasi është edhe probabiliteti më i madh për të marrë mikrobe nëpërmjet plagës gjë e cila mund ti shkaktojë infeksione të rënda, deri duke i rrezikuar edhe jetën.
Koha ka treguar se bakteret pushtojnë spitalet
Me ardhjen e sezonit të verës rriten edhe temperaturat ndaj shtimi i mikrobeve është edhe më i lartë. Përballë kësaj situate higjiena e spitaleve duhet të jetë maksimale dhe në kontroll të vazhdueshëm e jo të mos ketë as detergjentet bazë për pastrimin e ambienteve. Ndaj sipas të gjitha gjasave edhe këtë verë mund të përsëritet situata e vitit të kaluar pikërisht në këtë kohë ku mikrobet bënë kërdinë te pacientët e QSUT-së.  Bakteri më i rrezikshëm që pushtoi ambientet e spitaleve dhe ato të sallave të operacioneve një vit më parë quhej pseudomonas. Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë kanë pranuar se sallat e operacioneve ishin të ndotura bakterioligjikisht. Drejtues të kirurgjisë në QSUT pranuan ekzistencën e shtamave spitalore në salla, ndërsa deklaruan se këto baktere nuk shfaqin risk për jetën e pacientëve. Në atë periudhë ishin të shumta rastet kur pacientë morën infeksione të shumta. Stafi i qendrës spitalore u detyruar që pas kësaj gjendje alarmante të mbyllte për disa ditë sallat e operacioneve dhe të kryente dezinfektimin e tyre që nuk ishte bërë prej kohësh. Situata në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë u bë akoma më alarmante në momentin që u pohua se nuk bëhej fjalë për stafilokok, por për një tjetër bakter të rrezikshëm. Ky bakter quhet pseudomonas dhe është akoma më i rrezikshëm se bakteri i stafilokokut. Ai preku aparaturat, dhomat e shtrimit, madje depërtoi deri në sallën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar 2 pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e këtij shërbimi, i zhvendosën këta 2 pacientë, duke i izoluar në dy bokse të veçanta. Ndërkohë që situata u bë edhe më alarmante, pasi analizat e laboratorit në QSUT konfirmuan se shtimi i stafilokokut kishte prekur edhe dhomat e mjekimit në pavijonin e kardiokirurgjisë. Kjo situatë alarmante detyroi kardiokirurgët të zhvendosnin operacionet e planifikuara dhe të kryenin ndërhyrje vetëm në raste urgjence.

Last Updated on Saturday, 20 June 2009 08:52

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›