Gjurmët e konsulentëve të Ramës të çojnë tek linja e tij antiamerikane
Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën Lulzim Basha ka përzgjedhur konsulentë amerikanë për fushatën e tij, tjetër lloj Edi Rama, i cili ka angazhuar një zyrë konsulence italiane të drejtuar nga spin-doctor Luigi Crespi, i cili sëbashku me të vëllanë, Ambrogio Crespi dhe kolegun e tyre Emanuele Floridi, po organizojnë imazhin e fushatës elektorale të liderit socialist.
Shtabi i luftës socialiste ka rekrutuar “revolucionarë” përtej Adriatikut, për të ngjizur një klimë aq politike saqë i ka zënë frymën çdo arsyetimi logjik. Vëllazëria “Crespi” janë ekspertë të politikës dhe propagandës italiane. Kanë punuar si profesionistë të propagandës së bardhë dhe të zezë me Silvio Berluskonin kundra Xhanfranko Finit, dhe me Finin kundra Berluskonit. Fakti që Luigi Crespi ka qenë për shumë vite njeriu i sondazheve pro-kryeministrit Berluskoni, kurse sot propagandon fenë e re të Xhanfranko Finit, për një kthesë 180 gradë me lançimin mediatik të Partisë së tij FLI “Futuro e Liberta’ per l’Italia”, pas divorcit nga partia e Silvio Berluskonit është tregues për karakterin “revolucionar” të kësaj zyre konsulence.
Mirëpo ndërsa Luigi Crespi tregon në ditarin e tij online (http://luigicrespi.clandestinoweb.com), eksperiencën e parë pas kthimit nga Tirana, me fjalë si “Edi Rama ka lënë një shenjë të pashlyeshme në vendin e tij. Tirana është një qytet i pabesueshëm”…është vëllai i tij, Ambrogio Crespi që në ditarin e vet online (http://misterblog.it/diario-da-tirana) shkruan në postimin “Nostalgji për të Ardhmen” se, edhe pse vëllait të tij Luigi ardhja në Tiranë i ka bërë mirë, ai sqaron “se nuk do të ndalet këtu në Tiranë, se tani me Emanuele Floridin dhe me Michelangelo Tagliaferri-n do të shkojnë kudo për të kundërshtuar hegjemoninë amerikane në organizimin e fushatave zgjedhore në botë…jeni të paralajmëruar!!!”. Me këto fjalë paralajmëruese mbyllet postimi i zyrës së konsulencës që merren me imazhin e Ramës në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.
Si duket Rama ka thirrur italianët jo vetëm për të organizuar imazhin e tij, por edhe për t’ju kundërvënë hegjemonisë së pranisë amerikane në opinionin publik shqiptar. Prandaj ka shumë mundësi që sulmet ndaj ambasadës amerikane në Tiranë, dhe posaçërisht ambasadorit Arvizu të jenë pjellë e një plani-veprimi të “revolucionarëve” të Ramës, që duan të frenojnë hegjemoninë amerikane, në organizimin e fushatave elektorale në botë. Kësisoj edhe kinezëritë mediatike të porositura nga shtabi i luftës socialiste mund të lidhen patjetër, me sulmet që media afër Ramës i kanë bërë ambasadorit Arvizu. Ne jemi në mesin e një “luftë” teknologjike, ku gjithçka interpretohet si mbështetje apo kundërshtim i njërës apo palës tjetër. Afërmendsh qëndrimi i prerë dhe i qartë i SHBA-ve për demonstratën e dhunshme të 21 janarit, të organizuar nga Partia Socialiste, ku humbën jetën 4 të panafakë, dhe mesazhi se zgjedhjet e 8 majit janë të padiskutueshme, kanë nervozuar jo pak Edi Ramën. Sakaq furtuna mediatike e ngritur për të neutralizuar ambasadorin e SHBA, të paragjykuar si një mbështetës i kryeministrit Berisha, është krye me aq regji të sofistikuar, saqë të bën të mendosh për dorën e një artisti prapa saj.
Ndërkaq nuk është mister që për vite me radhë, këshilltari kryesor i Edi Ramës ishte hebreo-amerikani Arthur Finkejshtajn, më pas eminenca gri e selizë rozë, Endri Fuga, i padukshmi, por më i rëndësishmi, që ndërtoi kursin e ri: Agresivitet, dhunë, protesta deri në greva urie dhe bojkotim parlamenti. Në aspektin e marketingut politik, kjo u përkthye në një punë voluminoze me kontakt të pandërprera me mediat, slogane, parulla, akuza, trillime, sfonde të reja për kamerat, rregullim i përpiktë i daljeve në konferenca shtypi, telekomandim i teksteve që do artikuloheshin e deri zgjedhje e tonit, kadencës dhe ritmit në të folur. Klonimi i Ramës erdhi e mbizotëroi qenien e Eduart Shalësit, të Saimir Tahirit, dhe versioni i seksit tjetër të Megi Ajtyresës, etj.
Sidoqoftë si vëllezërit revolucionarë Crespi, apo hebreo-amerikani Arthur Finkejshtajn ashtu edhe shqiptari Fuga janë sot në fushatën e Ramës kundra Lulzim Bashës në Tiranë, por edhe të Ramës kundra Berishës në gjithë Shqipërinë. Lulëzim Basha është një armik special, të cilit i dedikohet një vëmendje po aq e veçantë në ashpërsi dhe intrigë, përderisa ky i fundit është pretendenti kryesor për bashkinë e Tiranës, çka tërheq si rrufepritës të gjitha “gël-baze”-at e PS-së, edhe pse janë të pasuksesshëm. Kombinati i baltës socialiste i qep çdo ditë nga një akuzë. Siç na mëson sociologu spanjoll Manuel Castells, mesazhe dhe personazhe të cilët s’kanë prezencë në media “nuk ekzistojnë”. Dhe kjo nuk vlen vetëm për liderë apo miq. Është bazike dhe “përzgjedhja e armiqve”.
Natyrisht për një opozitë pa asnjë politikë, me paqartësi etike dhe me një modesti aritmetike, sulmi ndaj Bashës është bazik. Operacioni ka nisur prej 21 janarit, ku sigurisht edhe pa 4 të vrarët, Edi Rama do të niste fushatën e hakmarrjes së gjakut, pas humbjes së kauzës së kutisë së fundit. Nuk është e thënë që operacioni të dalë, paçka se objektivi është i deklaruar. Fiks siç është parulla e re majtiste “Fajin e ka Ai” jo unë: prandaj shpresa është socialiste. Shtabi i luftës opozitare ka përcaktuar strategjinë “shock emotiv”, ku tema e përditshme është “kini frikë qeverinë dhe kandidatët e saj”. Shtabi i propagandës socialiste sigurisht vesh mediat me helmetë në kokë dhe kamuflazh në trup për të “vietnamizuar” zgjedhjet lokale të 8 majit, me tentativën e krijimit të një moçali politik. Është ligji Truman: nëse nuk bind, të paktën pështjello. Këtë strategji Partia Socialiste e njeh mirë, ngase e ka praktikuar me furinë e bilbilave në mes të parlamentit, me qëllim zhurmimin e mendimit dhe largimin e ideve, çka afrojnë më shumë paqartësinë sesa demokracinë në këtë vend. Jo më strategji butaforike bilbilash që fishkëllejnë njerëzit për t’ju tërhequr vëmendjen nga problematike e përditshme të administrimit të një kryeqyteti apo qyteti.