E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR publikon raportin e 2-të për zgjedhjet: Opozita, fushatë të tensionuar, s’ka dëgjuar thirrjet e Qeverisë për qetësi

29-04-2011 / Gazeta 55

Wollfarth: Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për zgjedhje me standarde


OSBE/ODIHR ka publikuar raportin e dytë mbi ecurinë e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Raporti thekson që në fillim se KQZ ka ecur përpara në drejtim të miratimit të rregulloreve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve. Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor. Raporti thekson se shumica e komisionerëve të KZAZ-ve duket se po punojnë me eficencë dhe në kolegjialitet, pa probleme të mëdha. “Në pothuajse të gjitha bashkitë ka qendra votimi me më shumë sesa kufiri ligjor prej 1000 votuesit të regjistruar. Vendndodhja e disa qendrave të votimit është bërë objekt debatesh për shkak se ato janë vendosur në ambiente private. Ka disa mospërputhje të vogla në numrin e përgjithshëm të votuesve në listat përfundimtare të votuesve që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve deklaruar nga Ministria e Brendshme. Autoritetet vendore nuk kanë ndjekur gjithmonë procedura uniforme të dorëzimit të listave përfundimtare të votuesve pranë KZAZ-ve”- thuhet në raport. Më tej në raport theksohet se aktivitetet e fushatës janë intensifikuar në shumicën e zonave të vendit dhe ka pasur një theksim të fortë të çështjeve vendore, sidomos nga ana e PD-së, ndërsa shton se PS-ja e ka përqendruar kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të kryeministrit. “Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë për qetësi, mjedisi i tensionuar politik i muajve të fundit është pasqyruar në disa incidente të dhunshme të lidhura me fushatën. Ka pasur një numër të madh akuzash për presion ndaj administratës shtetërore dhe nxënësve”- thuhet më tej në raport.  Raporti gjithashtu thekson se media e monitoruar po e mbulon gjerësisht fushatën zgjedhore ndërsa shton se Bordi i Monitorimit të Medias (BMM) ka përpiluar dy raporte javore të monitorimit të medias, por i tejkaloi kompetencat duke u dhënë paralajmërime mediave lidhur me reklamat me pagesë. “KQZ-ja nxori një vendim ku u kërkohet mediave të transmetojnë kasetat e përgatitura prej partive politike në rast se ato nuk mund të sigurojnë vetë mbulimin e aktiviteteve elektorale në lajmet e tyre. Duket se ky vendim shkon përtej Kodit Zgjedhor duke u dhënë partive kompetencën për të specifikuar shpërndarjen e mbulimit me lajme ndërmjet aktiviteteve të partisë dhe kandidatëve në median private”- thekson raporti i OSBE/ODIHR-it.


Wollfarth: Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për zgjedhje me standarde


Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë mbështet vendimin e KQZ-së për komisionerë shtesë dhe vulë më vete, gjatë zgjedhjeve të 8 majit


Ambasadori i OSBE Eugen Wollfarth deklaron se 8 maji është një shans për të zhvilluar zgjedhje me standarde, duke i konsideruar shumë të rëndësishme këto zgjedhje kreu i OSBE apeloi për pjesëmarrje. Duke iu referuar vendimit të KQZ-së për vulat rezervë, ambasadori theksoi se vlerëson çdo vendim që shkon në funksion të mbarë vajtjes së procesit. “Është shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë besim tek sistemi dhe ata që presupozohet tu shërbejnë qytetarëve në ditën e zgjedhjeve të qëndrojnë aty ku duhet të jenë dhe të bëjnë detyrën e tyre. Është shumë e rëndësishme që tek qytetarët të ndërtohet besimi tek sistemi. Është shumë e rëndësishme që kur qytetarët të shkojnë të votojnë në qendrën e votimit ta bëjnë në prani të komisionerëve. Nuk ka qenë gjithmonë kështu në të kaluarën, ka pasur raste kur komisionerët janë larguar, gjë që nuk duhet të ndodhë. Dhe në raste të tilla duhen të merren masa korrigjuese, të cilat janë duke u marrë dhe mua më duken një përgatitje me vend”- ka deklaruar ambasadori. Kreu i prezencës së OSBE/ODIHR ka nënvizuar se “Shqipërisë nuk i mungon asgjë që të arrijë standardet në ditën e 8 majit”. “Është çështja tek vullneti politik, i cili nuk i delegohet vetëm partive politike por dhe tek qytetarët që duhet të kenë besim dhe të bëjnë detyrën e tyre”- tha ambasadori i OSBE. Deri më tani ODIHR-i ka publikuar dy raporte: i pari ishte ai i vlerësimit të nevojave dhe i dyti ishte raporti ndërmjetëm. Misioni vëzhgues i kryesuar nga Jonathan Stonestreet ka deklaruar tanimë se raporti paraprak për zgjedhjet e 8 majit do të publikohet në datën 10 maj, dy ditë pas ditës së votimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›