Akademia ka nevojë për depolitizim

Kreu i legjislativit të vendit në një intervistë për Kosovapress ka thënë se nuk ka dashur të ndërhyjë në këto polemika rreth ASHAK-ut, ngase ato janë publike dhe opinioni është ai që vlerëson, por sipas tij, ky institucion ka nevojë për qasje të re.
“Ajo çka mund të them është se edhe Akademia, ndoshta edhe institucionet tjera shkencore duan një riformatizim dhe një riorganizim, se janë mendoj strukturat që nuk kanë ndryshuar formatin dhe funksionimin nga akademia e sistemit të kaluar. Në këtë rrafsh do të duhej të kemi një hapje të re, duhet të kemi forma të reja dhe duhet të kemi një qasje të re ndaj shkencës dhe ndaj zhvillimeve në Kosovë. Konsiderojmë që edhe Akademia ka nevojë për një reformim, ka nevojë për një riformatizim dhe ka nevojë për një angazhim më të madh për problemet që i ka shoqëria në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.
Në këtë drejtim, kryeparlamentari Krasniqi thekson se Akademia ka nevojë edhe për një depolitizim më të madh, dhe kjo, sipas tij, duhet të rregullohet me ligj.
“Realisht, ndoshta ka nevojë edhe për një depolitizim më të madh dhe vërtet ndoshta duhet të përcaktohet me ligj dhe të shikohet se si funksionojnë akademitë në shoqëritë e lira dhe demokratike dhe në atë drejtim mendoj që duhet të bëhet një riorganizim i Akademisë, si kulmi i veprimtarisë shkencore dhe mbi bazën edhe të veprave, të punës, të angazhimit”, është shprehur ai.
Si doktor i historisë, Krasniqi ka dhënë një vlerësim edhe për “Monografinë për Kosovën” të nxjerrë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për të cilën jep kritika, me gjithë respektin që thotë se ka për ASHAK-un si institucioni më i lartë shkencor.
“Sa i përket librit, realisht kam lexuar pjesë të saj, por nga pozita që e mbaj nuk jam marrë me përmbajtjen e saj. Megjithatë njerëzit që kanë lexuar dhe e njohin shkencën kanë pasur vërejtje dhe me gjasë është periudha e pas Luftës së Dytë Botërore, do të thotë pas Luftës Nacional Çlirimtare që i themi, e këtej, e që konsideroj se do një rishikim dhe një rivlerësim. Ai shkrim që i është bërë asaj periudhe, do të thotë nga viti ’45 deri në vitet 2000 jam i bindur që kërkon një trajtim ndryshe. Ai trajtim nuk e nderon këtë periudhë historike të popullit tonë”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, deputeti i PDK-së, Ramë Vataj kohë më parë ka iniciuar plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, por pas deklaratave të akademik Rexhep Qosjes, i cili Akademinë e ka konsideruar si ‘shtëpi private e LDK-së’, deputetët e LDK-së kanë tërhequr nënshkrimet nga nisma, ndërsa për disa ditë rresht ky subjekt politik është marrë me polemika me Qosjen.
Sidoqoftë, sipas deputetit Vataj, nisma për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji është duke vazhduar dhe pjesë e grupit punues për këtë ligj, nuk është vetëm anëtari nga LDK-ja. Vataj pret që ligji, i cili do të plotësohet sidomos me kriteret e reja për pranimin e anëtarëve të rinj në Akademi, do të miratohet në fillim të vitit të ardhshëm.