Ndryshimet kushtetuese dhe legjislative brenda afateve
Pas takimit punues, kryetari i Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami bëri të ditur se tashmë është përmbyllur faza e miratimit të amendamenteve pasi ato janë pranuar në parim dhe kështu është hapur rruga që Kuvendi i Kosovës brenda afateve ligjore t’i miratoj ato dhe mandej t’i shpall zgjedhjet e përgjithshme.
“Komisioni njëzëri në mënyrë unike, vetëm më një votë kundër, në parim i ka votuar amendamentet, mirëpo si votimi final dhe dorëzimi final i këtyre amadantamenteve do të bëhet në fund të janarit, për shkak se janë edhe tri çështje që duhet rregulluar, në mënyrë që plotësisht amendamentet të jenë të gatshme për amedamentim në Kuvend. Puna e parë ka mbetur, është hapur çështja e dy shtetësisë dhe për këtë çështje partitë politike nuk kanë arritur konsensus”, ka thënë ai.
Bëhet e ditur se votën kundër miratimit të amendamenteve e ka dhënë anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje. Ky subjekt politik kërkon që ndryshimet në Kushtetutë të jenë më thelbësore dhe jo me këto që merrët aktualisht komisioni.
Por pasi shumica ishin pro miratimit, Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, ka autorizuar një komision redaktues, i cili do të redaktojë dhe lekturojë tekstin e Kushtetutës pas miratimit të ndryshimeve.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Arsim Bajrami ka siguruar gazetarët se do t’i kryejnë të gjitha obligimet me kohë, në mënyrë që zgjedhjet presidenciale të mbahen brenda afatit të paraparë.
“Sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimeve legjislative, ne do t’i kryejmë obligimet që zgjedhjet të mbahen brenda afatit. Por çështja e datës së mbajtës është një çështje politike, të cilën duhet diskutuar në Parlament dhe vendimi duhet të merret në Parlament nga të gjitha forcat politike. Komisioni ynë po bën të mundshme ndërtimin e kornizës kushtetuese dhe ligjore që këto zgjedhje të mbahen vitin e ardhshëm”, ka thënë Bajrami.
I pyetur nga gazetarët se sa do të jetë i gatshëm që Komisioni të kryejë punën e tij me kohë në ndryshimet e Kushtetutës.
Kurse nënkryetarja e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, Vjosa Osmani sqaroi se ndryshimi i nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por nuk rrezikon që të shtyhen zgjedhjet.
“Ndryshimi i nenit 84 nuk i shtyn zgjedh presidenciale dhe as që është në mandat të këtij Komisioni të propozoj diçka të tillë. Ndryshime të tilla të kompetencave të presidentit, përveç që nuk do të merrnin shumë kohë, po ashtu siç e thash më herët nuk ka nevojë të jenë plotësisht të gatshme në momentin kur shpallen zgjedhjet. Ky komision do t’i përfundonte në atë kohë, por domosdoshmërish duhet të jenë të gatshme kur Presidenti apo Presidentja e re të filloj mandatin, pra në asnjë rrethanë ndryshimi i nenit 84 nuk shtyn zgjedhjet presidenciale”, ka thënë Osmani. (KP)