Gjykata, 18 muaj burg Ylli Kelmendit
TIRANE- Një armë pa leje që mbante me vete do ta “gozhdojnë” Ylli Kelmendin plot 18 muaj në qelitë e zymta të burgut. Dëshmitari i masakrës së “Kartodromit”, ku u ekzekutua biznesmeni Fatmir Rama, i njohur ndryshe si Miri i Xhikes dhe dy persona të tjerë, është cilësuar fajtor për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Kelmendi, një personazh mjaft i njohur në Tiranë, për shkak të konflikteve të vazhdueshme me drejtësinë, e natyrisht edhe lidhjeve me njerëz në botën e krimit, shumë prej të cilëve janë ekzekutuar ndër vite, është dënuar me 27 muaj burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Kelmendit i është ulur një e treta e dënimit, çka bën që përfundimisht të qëndrojë vetëm 18 muaj në qeli. Ylli Kelmendi u arrestua mesditën e 1 dhjetorit 2010, nga patrulla e Policisë së Shtetit, teksa ndodhej në një lokal në rrugën “Xhorxh Bush”, në Tiranës. Në vendimin e gjykatës thuhet se Kelmendi, në momentin e hyrjes së punonjësve të Policisë së Shtetit në lokalin ku ndodhej dhe vet ai, ka nxjerrë nga brezi një armë luftarake, dhe ja ka lënë në tavolinë ngjitur shtetasit Alberto K’. Policia në këto momente ka ndërhyrë dhe i ka vënë pranga. Pas arrestimit, policia ka ushtruar kontroll dhe në shtëpinë e Ylli Kelmendit, ku ka gjetur dhe sekuestruar dy armë; armë zjarri mod.56, armë zjarri kalibër 9 mm si dhe 1050 copë fishekë luftarakë. Për këtë ngjarje tashmë Kelmendi është cilësuar fajtor dhe nëse Apeli nuk do të qëndrojë ai duhet të qëndrojë 540 ditë në qeli. Në fakt, nuk është hera e parë që Kelmendi përfundon në burg. Ai është dënuar më parë për plagosjen e një endacaku në qendër të Tiranës, apo për armëmbajtje pa leje.
(s.g/GSH/balkamWeb)
(s.g/GSH/balkamWeb)