E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani, Wollarth: 8 maji do të jetë dita më e mirë e zgjedhjeve që ka pasur ndonjëherë Shqipëria

04-05-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm z. Bujar Nishani dhe Kryetari i Pranisë së OSBE në Tiranë z. Eugen Wollfarth bashkëbiseduan sot në Ministrinë e Brendshme mbi përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Ministri Nishani njohu ambasadorin Wolfarth me masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për garantimin një ambienti të qetë e të sigurt për ushtrimin e të drejtës së votës nga qytetarët. Ministri Nishani vlerësoi në takim bashkëpunimin e shkëlqyer me OSBE për trajnimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe nënvizoi në të njëjtën kohë se pikërisht falë këtij bashkëpunimi Shqipëria ofron sot standardet më të mira Europiane në përpilimin e listave të zgjedhësve. “E falenderova ambasadorin Wollfarth personalisht, por edhe gjithë misionin e OSBE në Tiranë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin e veçantë që i kanë ofruar Ministrisë së Brendshme dhe të gjitha institucioneve e agjencive të tjera pjesë të kësaj ministrie në përgatitjen e një infrastrukture dhe ambienti të shkëlqyer për zgjedhjet lokale të 8 majit. Nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Zgjedhësve tashmë kemi si produkt lista zgjedhore të cilat kanë arritur një standard të prekshëm europian nga qytetarët shqiptarë. OSBE ka ndihmuar gjithashtu për trajnimin e Policisë së Shtetit për të respektuar ligjin dhe për krijimin e një ambienti të qetë, normal, të sigurt dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve”-tha pas takimit ministri Nishani.
Ambasadori Wollfarth shprehu bindjen se Policia e Shtetit është e përgatitur më së miri për të krijuar një mjedis paqësor, por theksoi se është e rëndësishme që vetë qytetarët të kontribuojnë duke u sjellë në mënyrë të qetë e të civilizuar. “Ne presim të kemi një ditë të qetë festimi të demokracisë, qytetarët të kenë akses të lirë në qendrat e votimit, të dalin dhe të votojnë atë ditë, të kontribuojnë nëpërmjet kësaj detyre qytetare duke hedhur votën e tyre dhe duke patur besim te sistemi”- deklaroi ambasadori Wollfarth.
Duke theksuar se Policia e Shtetit është e ndërgjegjshme për detyrat e saj me qëllim kryesor krijimin e një mjedisi paqësor demokratik dhe sipas standardeve të kërkuara, ambasadori Wolfarth apeloi në të njëjtën kohë që qytetarët të mos e braktisin sjelljen paqësore që kanë demonstruar deri më tani. Një theks të veçantë ambasadori Wollfarth i vendosi faktit se procesi i përgatitjes së zgjedhjeve është ndërtuar mbi bashkëpunimin e qeverisjes qendrore me qeverisjen vendore, ku veçanërisht përgatitja e listave të zgjedhësve ka kërkuar bashkëpunimin me kontrolle dhe verifikime nga të dyja palët.
“Jam shumë optimist që 8 maji do të jetë dita më e mirë e zgjedhjeve që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”- deklaroi më tej ambasadori Wolfarth.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›