Gjykata: 25 vjet burg për Mile Çamin, vrau nënën e Lul Cakës
I njëjti dënim jepet edhe për bashkëpunëtorët Artan e Bledar Yzeiri
Xhevrije Caka u rrëmbye para komisariatit, kur kishte shkuar për të takuar të birin e arrestuar
Dënohen me nga 25 vite burg të pandehurit për vrasjen e nënës së Lulzim Cakës. Dje paradite, treshja gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Pirro Sota, Matilda Shalla dhe kryesuesi Alfred Konomi, kanë shpallur vendimin e marrë për të pandehurit Fatmir Emini, Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri, të akuzuar për veprën penale të vrasjes me paramendim për interes gjakmarrjeje në bashkëpunim. Sipas trupës gjykuese pas shqyrtimit gjyqësor katërvjeçar, u konkludua fakti se tre të pandehurit e kanë konsumuar veprën penale të sipërcituar dhe kanë vendosur dënimin e tyre me 25 vjet heqje lirie, duke rrëzuar kështu kërkesën e palës mbrojtëse që kërkoi pafajësinë e tyre.
Pretenca
Në fund të muajt mars, prokurori i çështjes, Çlirim Sino, lexoi konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës lidhur me çështjen, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të tre të pandehurve; Fatmir Emini dhe vëllezërve Artan Yzeiri e Bledar Yzeiri që të tre banues në Fier. Në konkluzionet përfundimtare, prokuroria parashtroi faktet e siguruara gjatë hetimit paraprak dhe atij gjyqësor, duke shtjelluar detaje të ngjarjes që morën jetën e nënës së Lulzim Cakës. Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se në vitin 1999, i dënuari Lulzim Caka, ka qenë i arrestuar dhe qëndronte në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Fier. Më datë 1 korrik 1999, i dënuari Lulzim Caka, ka shkuar ta takojë të ëmën, të ndjerën Xhevrije Caka dhe kunatin i tij. Paraditen e po kësaj date, pranë Komisariatit të Policisë Fier, kanë qenë duke lëvizur me një autoveturë tip Benz të pandehurit Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri e disa persona të tjerë të dyshuar. Në momentin që e ndjera Xhevrije Caka është afruar pranë komisariatit të policisë, në vendin e takimit me të paraburgosurit, është afruar aty edhe automjeti i të pandehurve Artan e Bledar Yzeiri, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë rrëmbyer të ndjerën Xhevrije Caka dhe e kanë futur me forcë në automjetin e tyre. Menjëherë automjeti i të dyshuarve, i shoqëruar nga makina të tjera, është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së Zogut të Zi të qytetit të Fierit. Ndërsa kunati i Lulëzim Cakës që shoqëronte vjehrrën është trembur dhe kur është kthyer në shtëpi, pasi ka biseduar me bashkëshorten, ka vendosur të shkojë ta denoncojë këtë fakt në Policinë e Fierit. Të nesërmen, në vendin e quajtur Stani i Durajve, në perëndim të fshatit Seman i Ri Fier, është gjetur e vrarë me armë zjarri e moshuara Xhevrije Caka. Në vendngjarje policia ka sekuestruar tri gëzhoja pistolete me të cilën është qëlluar e ndjera. Në pretencë thuhet se; nga kryerja e veprimeve hetimore për motivet e kësaj vrasjeje, si dhe rrethin e bashkëpunëtorëve që sipas akuzës tashmë janë provuar në gjykim bazuar në prova shkresore e me dëshmitarë është arritur të identifikohen autorët.
Në konkluzionet e organit të akuzës thuhet se organizatorët dhe ekzekutorët e kësaj vrasjeje janë të pandehurit Fatmir Emini, Artan Yzeiri, Bledar Yzeiri. Gjithashtu shtohet fakti se në vrasje kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë të paidentifikuar ende. Pas ngjarjes, kunatit të Lulëzim Cakës, Shkëlqim Petriti, i cili ka qenë i pranishëm kur i rrëmbyen vjehrrën, i janë përcjellë fjalë kërcënuese nga të pandehurit duke i kërkuar që të mos tregonte rrethanat e rrëmbimit të të ndjerës, ose do të pësonte të njëjtin fat thuhet në pretencë. Motivet e kësaj vrasjeje sipas prokurorisë, kanë qenë për hakmarrje e gjakmarrje, motive të cilat kanë bashkuar në këtë krim të pandehurin Fatmir Emini me të pandehurit Artan dhe Bledar Yzeiri, e persona të tjerë në formën e grupit të strukturuar kriminal. Në përfundim të konkluzioneve përfundimtare të dhënë rreth një muaj më parë, prokurori Çlirim Sino i ka kërkuar trupit gjykues deklarimin fajtor të tre të pandehurve dhe dënimin e tyre me burgim të përjetshëm.
Mbrojtja
Pas Prokurorisë së Fierit, e cila kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të Fatmir Eminit dhe vëllezërve Artan e Bledar Yzeirit të akuzuar për vrasjen e nënës së Lulzim Cakës, mbrojtësi ligjor i të akuzuarve kërkoi pafajësi. Ai i kërkoi gjykatës shpalljen të pafajshëm të klientëve të tij. Sipas mbrojtjes, prokuroria nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për të provuar akuzat e ngritura ndaj klientëve të tij, duke kërkuar që të mos pranohet kërkesa e prokurorisë për dënimin e të pandehurve. Por pas shqyrtimit të gjithë fakteve të parashtruara nga të dyja palët, Gjykata e Fierit ka vendosur ti deklarojë fajtorë të pandehurit dhe ti dënojë me nga 25 vite heqje lirie secilin.
Re. Rre.
Gjykata: 25 vjet burg për Mile Çamin, vrau nënën e Lul Cakës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email