E Shtunë, 31 Tetor 2026

Totozani, prokurorisë: Hetoni Entin e Banesave

Silvana Muça

Konflikti për pronën

Avokati i Popullit: Ka abuzuar me ligjin edhe për ish-çerdhen nr. 36

Shqetësimi

Përfitimet financiare - Avokati i Popullit nuk mund të bjerë dakord që familje të tëra të ndodhen në mes të katër rrugëve. Këta banorë nuk plotësojnë as kushtet për përfitime financiare, pasi shumica janë pensionistë dhe të mitur

Trajtimi nga policia - Nuk mundet që familje të cilat kanë individë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të moshuar, fëmijë e të rritur, pa asnjë mundësi financiare për të përballuar qoftë edhe jetesën minimale, të trajtohen në këtë mënyrë

Banoret nxirren nga permbaruesit (1)Përleshjet e dhunshme mes banorëve dhe përmbaruesve e punonjësve të policisë private, dy ditë më parë, në rrugën Margarita Tutulani në Tiranë kanë sjellë reagimin e ashpër të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, i cili thotë se Enti Kombëtar i Banesave, si institucion zbatues i aktit normativ, dyshohet të ketë abuzuar me ligjin, duke sjellë probleme të mprehta sociale. Në bazë të këtij dyshimi, ai i kërkon Prokurorisë së Tiranës që të nisë ndjekjen penale dhe verifikimet e duhura, pasi rasti i 14 familjeve nuk është i vetmi që ndodh në këto kushte. Në një deklaratë për shtyp, Totozani thotë se kjo është një situatë e paralajmëruar më herët nga Avokati i Popullit, i cili ka kundërshtuar mënyrën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, që realisht ka krijuar dhe po krijon konflikte serioze sociale. Mjaft i shqetësuar, Totozani i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të miratojnë shumë shpejt bazën ligjore, e cila do të mundësojë trajtimin individual, specifik për secilën familje qiramarrëse në banesat e ish-pronarëve, pasi kushtet ekonomike, në të cilën banorët e zbuar ndodhen, nuk kanë mundësi përfitimi.

Deklarata e Totozanit

Avokati i Popullit, Igli Totozani, e ka ndjekur çështjen në fjalë me shqetësim, duke i kërkuar Prokurorisë ndjekjen penale ndaj Entit Kombëtar të Banesave, pasi dyshon që të kenë abuzuar me ligjin. Sipas tij, zbatimi i aktit normativ, nr. 3. dt 01.08.2012 të Këshillit të Ministrave po provokon pasoja negative. Rasti i djeshëm në zonën pranë shkollës Petro Nini Luarasi është një rast i rëndë që ka ndodhur pikërisht gjatë lirimit të një banese ish-pronari nga ana e përmbaruesve privatë dhe punonjësve të një policie private në prezencë të punonjësve të policisë së shtetit, ku dukshëm është përdorur jo vetëm dhunë ndaj qiramarrësve, por është arritur deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Avokati i Popullit po e ndjek nga afër dhe me shumë vëmendje këtë proces, duke trajtuar në tërësi problemin, por edhe raste individuale që lidhen me këtë problematikë, në të cilat ka vërejtur se veç çështjeve madhore të lartpërmendura, ka edhe raste ku ekziston dyshimi i bazuar se nga ana e Entit Kombëtar të Banesave si institucion zbatues i aktit normativ mund të jetë abuzuar me ligjin, sikurse është një rast në trajtim e sipër nga ana jonë lidhur me ish-çerdhen numër 36, në zonën e Fushës së Zezë, Tiranë. Për këtë qëllim i bëjmë thirrje organit të prokurorisë të fillojë ndjekjen penale dhe verifikimet e duhura rast pas rasti. Jam dakord që ish-pronari të marrë pronën, por konfliktet sociale që krijohen pas veprimit ligjor po shkaktojnë dëme të mëdha në shumë familje, shprehet Totozani në fjalën e tij. Ndër të tjera, ai tha se rasti i djeshëm nuk është i vetmi që ndodh në këto kushte dhe kjo është një situatë e paralajmëruar herët nga Avokati i Popullit, i cili ka kundërshtuar që në fillim kohën dhe mënyrën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, që realisht ka krijuar dhe po krijon konflikte serioze sociale.

 

Në qiell të hapur

Ndërkaq 14 familjet e nxjerra me forcë nga përmbaruesi privat Baftjar Nelaj janë stacionuar në oborrin e godinës trekatëshe, që jetonin prej dekadash. Ata e kanë kaluar natën në qiell të hapur, duke thënë se nuk kanë vend ku të fusin kokën. Publikisht banorët i janë lutur Kryeministrit Sali Berisha, që të ndërhyjë në zgjidhjen e çështjes. Ata ruhen nga dy furgonë policie 24 orë në 24. Paraditen e së martës, banorët janë përleshur fizikisht me përmbaruesit dhe punonjësit e policisë private, ku këta të fundit nuk nguruan që të përdorin edhe armët e zjarrit. Në mënyrë barbare, përmbaruesit kanë shqyer dyer e dritare, kanë dhunuar gra e të moshuar dhe me forcë kanë nxjerrë jashtë mobiliet e të strehuarve. Kundërshtimet kanë qenë të ashpra pasi banorët thonë se pretenduesi Ferdiant Caka nuk është pronar legjitim, por me anë të pushtetit si ish-punonjës i Gjykatës së Lartë dhe korrupsionit, ai ka përvetësuar rreth 1100 metra katrorë. S.Muça

Totozani, prokurorisë: Hetoni Entin e Banesave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›