Gjykata Administrative futet për votim, opozita: Provokim i Topallit
Për herë të tretë brenda dy vjetësh projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative përfshihet në rendin e ditës së Kuvendit në seancë plenare. Megjithëse në kalendarin e shpërndarë për mediat ditën e miratimit të tij nga Konferenca e Kryetarëve, projektligji në fjalë nuk ishte pjesë e rendit të ditës së seancës sotme, dje në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit në internet kjo nismë ishte përfshirë si pikë e pestë. Pavarësisht kësaj, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka deklaruar se kjo gjë është bërë me konsensusin e socialistëve, çka mohohet nga këta të fundit, të cilët e kanë konsideruar këtë veprim si një provokim që i bëhet opozitës.
Rendi
Ndërsa faktori ndërkombëtar edhe gjatë ditës së djeshme me anë të dy ministrave të Jashtëm të Italisë dhe Greqisë përcolli mesazhin e nevojës për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për interes të procesit të saj integrues, Kuvendi ka futur në rendin e ditës të seancës së sotme plenare projektligjin “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, që për t’u miratuar kërkon 84 vota, çka pritet të bëhet objekt debati. Kjo për vetë faktin se një nismë e tillë nuk ka qenë përfshirë në kalendarin e miratuar nga konferenca e kryetarëve javën e shkuar, për t’u shqyrtuar në seancë plenare. Kalendari i shpërndarë nga institucioni i Kuvendit, i miratuar me konsensus në Konferencën e Kryetarëve dhe i shpërndarë për mediat, parashikon që në seancën e dytë plenare për këtë sesion parlamentar vetëm pesë pika si rend dite, ku natyrisht nuk bën pjesë projektligji për Gjykatën Administrative. Ndërkohë që në rendin e ditës të botuar në faqen zyrtare të Kuvendit ditën e djeshme, janë përfshirë 7 pika, ku si pikë e pestë është edhe projektligji në fjalë.
Qëndrimet
Përfshirjen e këtij projektligji në rendin e ditës të seancës së sotme kryeparlamentarja Jozefina Topalli e ka konsideruar dje gjatë një konference për shtyp si rezultat i vendimmarrjes me konsensus të Konferencës së Kryetarëve. “Në konferencën e kryetarëve me unanimitet ne kemi përcjellë në seancë kalendarin trijavor, i cili përfshin disa nga ligjet që kërkojnë një numër të cilësuar votash, pra, kërkojnë edhe votën e opozitës. Mes këtyre ligjeve është edhe ligji për Gjykatat Administrative”, - tha Topalli, ndërsa ka ftuar opozitën që të jetë luajale në qëndrimin e saj. Por lidhur me këtë ka reaguar edhe opozita, e cila ka mohuar që të ketë rënë dakord që projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash të jenë futur në kalendarin e Kuvendit për në seancë plenare. I kontaktuar me telefon, nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, ka sqaruar se opozita ka pranuar në konferencën e kryetarëve që këto ligje të kthehen për t’u diskutuar në komisione dhe jo në seancë. “Ky është një provokim që Jozefina Topalli i bën opozitës, pasi ne kemi rënë dakord që këto ligje të kalojnë edhe një herë për diskutim në komisionet respektive parlamentare”, - tha Dokle dje për MAPO-n. Duke patur parasysh këto dy qëndrime, ky projektligj pritet të bëhet objekt debati gjatë seancës së sotme mes pozitës dhe opozitës.