E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, PS mandaton 2 deputetë për bisedime me PD

SHKRUAN: Fejzi Braushi 13-09-2011 10:44

Partia Socialiste pranon të ulet në bisedime me Partinë Demokratike për reformën zgjedhore, por kushtëzon sërish votën e saj për të gjitha ato nisma të tjera ligjore që kërkojnë një shumicë prej 84 votash. Ky duket se ka qenë dhe angazhimi që ka marrë kreu socialist Edi Rama gjatë takimit që ka zhvilluar me dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë dhe që e ka bërë publik në prani edhe të medias para grupit të tij parlamentar. Rama ka mandatuar ndërkohë deputetët Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi si përfaqësuesit e PS-së që do të punojnë jo vetëm për të thithur propozimet dhe mendimet e deputetëve, apo aleatët opozitarë, por edhe që do të negociojnë me mazhorancën për modalitetet e kësaj reforme.

Reforma

Menjëherë pasi ka mbaruar takimin me dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, Rama ka nxituar të shkojë në mbledhjen e grupit për t’i komunikuar deputetëve një sërë vendimesh të rëndësishme për realizimin e të cilave ishte angazhuar edhe para krerëve të diplomacive të dy vendeve fqinje. Vendin kryesor e ka zënë reforma zgjedhore, për të cilën ai siguroi para deputetëve të tij se PS do të impenjohet plotësisht për realizimin e saj, duke patur si referencë rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR. Për këtë qëllim ai i ka kërkuar grupit që të mandatojë deputetin Damian Gjiknuri dhe deputeten Vasilika Hysi që të nisin negociatat me palët demokrate për të përcaktuar modalitetet dhe hartën e veprimeve të komisionit të posaçëm bipartizan që do të ngrihet për këtë çështje. “I kërkoj grupit parlamentar të mandatojë deputetin Damian Gjiknuri dhe deputeten Vasilika Hysi për të diskutuar me palën tjetër lidhur me metodologjinë e punës për këtë reformë themelore”, - tha Rama. Siç edhe detyrë e këtyre dy deputetëve do të jetë ndërmjet të tjerave dhe thithja dhe përpunimi i mendimeve që do të merret nga baza e partisë, aleatët dhe grupet e tjera të interesit. “Reforma zgjedhore s’mund të nisë me ngritjen formale të një komisioni parlamentar pa pasur paraprakisht një hartë konsensuale veprimi dhe një kalendar të miratuar bashkërisht për të gjithë hapat deri në miratimin e ndryshimeve të nevojshme me transparencë të plotë ndaj të gjitha partive parlamentare e joparlamentare e ndaj vetë publikut shqiptar. Të dy deputetët duhet të organizojnë thithjen e mendimeve nga grupi, nga baza e Partisë Socialiste, nga forcat aleate të Opozitës së Bashkuar dhe nga shoqëria civile”, - tha Rama.

Ligjet

Nga ana tjetër grupi socialist, ndryshe nga sa pritej, ka rikushtëzuar votën e vet për të gjitha ato ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Rama ka theksuar se u kishte bërë të ditur dhe dy ministrave të Jashtëm të Italisë dhe Greqisë faktin se opozita nuk do të votojë ligje vetëm e vetëm sepse mazhoranca kërkon të mashtrojë Brukselin. Ndaj ka bërë të ditur ai opozita nuk do të ngrejë kartonin pa arritur më parë harmonizimin e të gjitha këtyre nismave ligjore me nevojat reale të qytetarëve shqiptarë. “Për sa i takon ligjeve që kërkojnë votën tonë për të garantuar shumicën e cilësuar prej 3/5 të Kuvendit, u shprehëm miqve e partnerëve fqinj në takimin e sotëm të njëjtin qëndrim të bërë publik. Nuk do të votojmë projektligje të pa harmonizuara me një vizion solid të ndërtimit e të funksionimit të shtetit shqiptar dhe nuk do ta ngremë kartonin jeshil sa për t’i hedhur hi syve Brukselit me arna të quajtura rëndom reforma integruese. Nëse kërkohet vota jonë për miratimin e një projekti që kërkon 3/5 e votave, atë do ta japim vetëm mbi një platformë të qartë, kombëtare dhe transparente, të reformimit të domosdoshëm të sistemit në fushën e drejtësisë, sigurisë e me radhë me fokus e standardet e integrimit europian”, - u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›