E Diel, 1 Nëntor 2026

Afera Olldashi, Nano, Nazarko e Çili: Opozita e maxhoranca të flasin

Prej një jave, gazeta Panorama ka publikuar me fakte dhe dokumente një aferë të ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Një monopol 40-vjeçar për një kompani të vetme për linjat e internetit në të gjithë Shqipërinë. Deri tani, ministri Olldashi dhe maxhoranca nuk kanë reaguar, ndërsa çfarë duket më e çuditshme, është heshtja e opozitës. Analistët e njohur, Mustafa Nano, Mentor Nazarko dhe Henri Çili, komentojnë skandalin Olldashi dhe mungesën e reagimit nga maxhoranca e opozita.

Nuk kam fuqi të kuptoj heshtjen e opozitës

Mustafa Nano

Ka pasur reagime nga më të çuditshmet pas scoop-it Olldashi. Vetë Olldashi, në vend ti përgjigjet akuzës, ndërton një akuzë ndaj akuzuesve. Është idiotësi kjo, por ja që ndodh në Shqipëri. Ka të tjerë, pastaj, që pyesin: Po Panorama, lojën e kujt po bën? Nuk merren me denoncimin publik të bazuar në fakte, pra, por kërkojnë motivimet e atij që bën denoncimin, ose kërkojnë çfarë fshihet pas kësaj.
Të tjerë akoma, pasi kanë kërkuar motivime të fshehta të Panoramës e nuk kanë gjetur (nëse nuk kanë gjetur), zënë e pyesin: Po si ka mundësi që nuk u fshehka asnjë interes apo lojë politike në këtë mes? Rrallë e tek mund të gjesh ndonjë që thotë: Nuk më duhet fare pse e bën Panorama këtë gjë; dua përgjigje për akuzat e rënda që bëhen.
Vijmë tani te reagimi i maxhorancës dhe i opozitës; më saktë, te reagimi i munguar, që në vetvete është reagim, madje më i fortë se një reagim me të bërtitura. Më befason më së shumti heshtja e opozitës. Nuk arrij ta kuptoj. Nuk kam fuqi ta kuptoj. Veç në mendofshin se Olldashit po i bien në qafë kot më kot. Ose, veç në besofshin siç thosh një lexues i sitit respublica.al që Olldashi e Topalli po bëhen gati të krijojnë një parti tjetër, dhe kjo gjë është në interes të opozitës. (!!!)

Maxhoranca e opozita duhet të reagojnë

Mentor Nazarko

Publikut i intereson nëse është e vërtetë ajo që denoncon Panorama, dhe ministrat, kreu i qeverisë duhet të përgjigjen saktësisht për këtë çështje. Ka një strategji të vazhdueshme të qeverive për të zhvlerësuar akuzat me forma të tilla që shkojnë nga injorimi – rasti WikiLeaks – tek tymnaja mbi motivet e akuzuesit. Publiku pret përgjigje për vartësinë e akuzës së gazetës Panorama. Opozita duhet gjithashtu të kërkojë, në emër të publikut, të njëjtën përgjigje. Besoj se është brenda filozofisë së kursit të ri kërkimi i një përgjigjeje.

Reagimi për përmbajtjen, më minimalja që pritet nga Olldashi

Henri Çili

Gazeta më e madhe në vend, gazeta Pan
orama, prej ditësh ka nisur një numër artikujsh mbi një çështje që lidhet me veprimtarinë e ministrit Olldashi dhe ministrisë përkatëse. Ajo që bën përshtypje së pari është mungesa e një reagimi zyrtar lidhur me çështjen në fjalë nga ana e ministrit përkatës. Reagimi që kam parë deri tani ka lidhje me çështje të tjera rreth botuesit të gazetës Panorama, por nuk ka pasur një shpjegim për thelbin e temës që Panorama po ndjek prej javësh.
Kjo mënyrë rrezikon ta rrethojë qeverinë Berisha gjithnjë e më shumë me një kulturë që e rrezikon më shumë se gjithçka tjetër maxhorancën, kultura e mosreagimit apo e mospërgjigjes. Ky është një rrezikim natyral i një mandati të gjatë në pushtet kur dihet se qeveria hyn në vitin e shtatë të mandatit, çka është një kosto e drejtpërdrejtë elektorale e shumicës.
Edhe pse nuk e njoh me themel këtë çështje, pasi kam realisht një kompetencë mjaft të ulët lidhur me teknologjitë e informacionit dhe gjithçka zhvillohet rreth tyre, sërish do të thosha se përballë një teme të tillë nuk mund të mos vihen në lëvizje autoritetet rregullatore të kësaj fushe, autoritetet e pavarura nga qeveria, të cilat janë zgjedhur pikërisht për të garantuar mbarëvajtjen e këtyre sektorëve dhe arbitrimin e veprimit të qeverisë në këto fusha, interesi i të cilave i tejkalon mandatet qeveritare dhe tashmë janë strategjike.
Nuk dua ta paragjykoj çështjen në fjalë, ka apo nuk ka shkelje apo dëmtim të interesit publik nga veprimi i ministrit Olldashi, por politikisht do të thosha që është në detyrën dhe interesin e autoritetit publik të shpjegohet lidhur me një temë a argument që një gazetë ngre, aq më tepër kur kjo qëllon të jetë gazeta më e madhe në vend. Nga ana tjetër, një debat publik, të tilla tema, siç janë investimet dhe infrastrukturat e së ardhmes së teknologjisë së informacionit, do të avanconin interesin e biznesit shqiptar në këtë fushë duke inkurajuar iniciativën private dhe bashkërendimin e saj me interesin publik.
Sokol Olldashi vjen nga media, është politikan i lartë në PD dhe po ashtu me përvojë të gjatë politike. Një konfliktim me median, sidomos një mosreagim mbi përmbajtjen e çështjes që ngre Panorama, është i papritur edhe për mua si një ish-koleg dhe njeri që e njeh politikën dhe komunikimin si ministri në fjalë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›