E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese: Nuk do pranojmë ankesa për zgjedhjet vendore

TIRANE- Gjykata Kushtetuese i ka mbyllur rrugën çdo lloj ankese që lidhet me zgjedhjet vendore. Ky institucion ka refuzuar ta marrë në shqyrtim kërkesën për rezultatin e zgjedhjeve në komunën Dajç të qarkut Lezhë. Në vendimin publikuar dje nga “AS”, gjykata ka bërë të qartë se zgjedhjet lokale nuk janë juridikision i saj. Konkretisht në vendimin e argumentuar thuhet se “Kushtetutëbërësi ka konsideruar se Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje vetëm për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, deputetëve si dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të tyre, duke mos e shtrirë këtë të drejtë ndaj subjekteve të zgjedhjeve lokale”. Po kështu Gjykata Kushtetuese kujton se ajo është përjashtuar nga shqyrtimi i kërkesave të subjekteve zgjedhore lidhur me kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve vendore, me ndryshimet që ju bënë Kodit Elektoral në vitin 2003 të cilat u reflektuan dhe në ndryshimet e mëvonshme të tij. 

Partia Socialiste dhe kandidati i saj në komunën Dajç ankimoi në Kushtetuese vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor që shpallte fitues rivalin e tij demokrat. Kandidati socialist Rrok Rroku ka pretenduar për një proces jo të rregullt ligjor, pasi është cënuar e drejta themelore për t’u zgjedhur. Por pas shqyrtimit të saj, gjyqtarët megjithëse e cilësojnë ankimimin legjitim, kanë vlerësuar se pretendimet e kërkuesve nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese. Ata theksojnë se në Kodin Zgjedhor është përcaktuar qartësisht procedura e apelimit. Vendimet e KQZ-së apelohen në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili nuk ankimohet. Ata saktësojnë se vendimmarrja e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, si dhe procedurat e ndjekura lidhur me të, nuk janë pjesë e juridiksionit kushtetues. 

KODI ZGJEDHOR 
Neni 145, pikat 1 dhe 2 e Kodit Elektoral sanksionojnë se “subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZsë, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm. Të drejtën e ankimit, sipas këtij neni, e kanë edhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor”. Mandej bëhet e ditur se “subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vendimet e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës ankimore në lidhje me vendimet të marra në përputhje me shkronjat ‘a’, ‘b’, ‘c’ dhe ‘ç’ të nenit 24 të këtij Kodi”, -citojmë shprehimisht. Ndërkohë neni 158, pikat 5 e 6, sanksionojnë se “vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim. 

Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij”. Sa kaq neni 139 i Kushtetutës, gërma
“e”, sanksionon se “çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre”.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›