Shpërthen Dede: Lojtarët shitën Alesund-Tirana
Trajneri i Tiranës, Nevil Dede akuzon rëndë futbollistët bardheblu se kanë trukuar ndeshjen Alesund-Tirana 5-0, e luajtur më 12 korrik të vitit të kaluar, në turin e dytë të Europa Ligë. Trajneri 38-vjeçar befasoi në konferencën e radhës për shtyp, teksa deklaroi se do t'i kërkojë Komisionit të Etikës, si dhe Prokurorisë, që ta hetojë këtë ndeshje. Edhe pse Dede nuk përmendi emra, shënjestër e tij janë disa nga "veteranët" bardheblu, të cilit kanë luajtur ndaj Alesund dhe që udhëhoqën protestën para bashkisë për rrogat e prapambetura. Dede shpjegoi edhe arsyen pse portieri Ilion Lika nuk është në planet e tij, edhe pse ka edhe një vit kontratë me Tiranën. Ai zbuloi edhe emrat që dëshiron të afrojë në skuadër, si dhe strategjinë që do të ketë klubi për të ardhmen. Dede e la të hapur mundësinë e rinovimit me Gilman Likën, që në Shqipëri ka marrë oferta edhe nga Skënderbeu, Vllaznia dhe Flamurtari. "Akuzat e trajnerit të Tiranës, Nevil Dede, vetëm se e përdhosin bluzën e Tiranës." Ky është reagimi i mbrojtësit Erjon Dushku, i cili i sheh deklaratat e fundit të trajnerit bardheblu si reagim ndaj një prononcimi të tij në median e shkruar. Dushku mohon kategorikisht të ketë qenë pjesë e pazareve.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)