Gjykata Kushtetuese: Të mos u hiqen makinat gjyqtarëve
Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e plotë, ku gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit do të vazhdojnë të kenë në dispozicion makinat
TIRANË - Ndryshe nga ligji i miratuar në Kuvend, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit do të vazhdojnë të kenë në dispozicion shërbimin e transportit me automjete, si rezultat i vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimi në fjalë është zbardhur dje dhe argumenton në mënyrë të detajuar se pse gjyqtarët nuk duhet të jenë pjesë e këtij ligji. Pak kohë më parë, Kuvendi miratoi ligjin "Për Rregullimin e Shërbimit të Transportit për Funksionarët Publikë dhe Nëpunësit Civilë".
Objekti i këtij ligji ishte pikërisht rregullimi i shërbimit të transportit për një kategori të caktuar funksionarësh publikë dhe nëpunësish civilë të administratës së lartë.
Subjekte të këtij ligji ishin edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit.
Ligji u ka ndërprerë këtyre funksionarëve të lartë shërbimin e transportit me automjete, shërbim që përballohej nga të ardhurat publike përmes buxheteve të institucioneve përkatëse dhe iu ka caktuar një përfitim financiar mujor në shumën 35.000 lekë, për përmbushjen e detyrave të tyre funksionale.
Por, Unioni i Gjyqtarëve përmes një kërkese depozituar në Gjykatën Kushtetuese deklaroi se kufizimi ose heqja e përfitimeve aktuale për shërbimin e transportit që u ofrohej gjyqtarëve nga shteti ishte në papajtueshmëri me Kushtetutën.
Lidhur me pretendimin e Unionit të Gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera në argumentimin e saj ka theksuar se neni 7 i Kushtetutës, që parashikon se sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, nuk i njeh epërsi një pushteti ose organi kushtetues në raport me pushtetet e tjera të shtetit.
Ndonëse renditen njëri pas tjetrit, tre pushtetet e përmendur nuk qëndrojnë në varësi hierarkike nga njëri-tjetri dhe as nuk dominojnë apo i nënshtrohen ndikimeve reciproke ekstra-ligjore. Sipas Gjykatës Kushtetuese, funksioni i gjykatave përcakton vendin e gjyqësorit në sistemin e institucioneve të pushtetit shtetëror dhe për pasojë edhe statusin e gjyqtarëve.
Në nenin 145 të Kushtetutës deklarohet se gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në funksion të rregullimit kushtetues, të parashikuar në nenin 145, pika 1 që njeh pavarësinë e gjyqtarëve dhe nënshtrimin e tyre vetëm ndaj Kushtetutës dhe ligjeve, pika 3 e kësaj dispozite, në të njëjtën kohë, ka sanksionuar një tjetër rregullim, që ndalon ndërhyrjen në veprimtarinë e gjykatave dhe të gjyqtarëve.
Një formulim i tillë, sipas Gjykatës Kushtetuese, është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me veprimtarinë e dhënies së drejtësisë nga gjykatat dhe gjyqtarët. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh përmbajtjen e neneve 7, 42, 144 dhe 145 të Kushtetutës, Gjykata çmon se edhe roli i administratës gjyqësore nuk mund të ndahet nga funksioni i dhënies së drejtësisë dhe përbën një element të rëndësishëm të pavarësisë organizative të pushtetit gjyqësor.
Në vlerësimin e Gjykatës, pavarësia e gjyqësorit kuptohet si pavarësi substanciale, që do të thotë: "...pavarësi organizative që përfshin strukturimin e brendshëm administrativ të gjykatave; pavarësi financiare që nënkupton autonomi në hartimin e buxhetit nga vetë institucioni dhe miratimin nga legjislativi, si një zë i veçantë i buxhetit të shtetit, fonde të përshtatshme e të mjaftueshme për të realizuar qëllimin dhe detyrat e institucionit e sovranitet në lidhje me administrimin e fondeve të akorduara".
Me qëllim dhënien përgjigje të pretendimeve të palëve në këtë gjykim kushtetues, Gjykata vlerëson se duhet interpretuar neni 144 i Kushtetutës, sipas të cilit, "Gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e administrojnë vetë."
Pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv janë të pajisur me buxhetin e tyre, i cili është i përshtatshëm për realizimin e funksioneve kushtetuese.
Për pasojë, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin si antikushtetues të pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenin 3, nenin 4 dhe nenin 6 të ligjit "Për Rregullimin e Shërbimit të Transportit për Funksionarët Publikë dhe Nëpunësit Civilë", si dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të Këshillit të Ministrave "Për caktimin e numrit të automjeteve dhe të shoferëve në dispozicion të ministrive dhe të institucioneve qendrore," për sa përfshijnë në fushën e zbatimit të tyre gjyqtarët.