E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy policë, ndihmonin hajdutët e çantave

Dy agjentët e hetimit të krimeve ndaj pronës së komisariatit nr.3 u kapën në flagrancë tek iu merrnin dy personave 30 mijë lekë të reja


Të arrestuarit dyshohet se favorizonin keqbërësit, duke mos i arrestuar për vjedhje të ndryshme çantash apo në autobuzë


TIRANE- Dy agjentë të hetimit të Krimeve Kundër Pronës të Komisariatit të Policisë nr.3, u arrestuan dje në mbrëmje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe të favorizimit të kontigjentit kriminal, si dhe të korrupsionit.


Kryeinspektor Preng Frroku, 43 vjeç, dhe inspektor Besnik Preni, 34 vjeç, të dy ndihmës specialistë të sektorit të hetimit të Krimeve Kundër Pronës, u arrestuan në flagrancë nga hetuesit e SHKB- për disa akuza, ku më kryesorja është ajo e shpërdorimit të detyrës dhe mitmarrjes.


Lajmi u bë i ditur dje në mbrëmje nga drejtues të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm që pohuan se policët janë përfshirë në veprimtari kriminale duke favorizuar një grup kriminal të dyshuar për vjedhje çantash të femrave në rrugë apo të vjedhjeve të ndryshme në autobuz.


Lidhur me këtë arrestim, Drejtoria e Policisë së kryeqytetit doli dje në një konferencë të posaçme për shtyp, ku pohoi arrestimin e dy efektivëve të saj në bashkëpunim me SHKB-në dhe me njësinë e hetimit të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës.


Arrestimi


Dy punësonjësit e policisë së komisariatit nr.3, dje kanë qenë duke marrë pagesën e radhës, në një shumë prej 30 mijë lekësh të reja, nga dy vjedhës pjesë të një grupi kriminal të përfshirë në vjedhjen e çantave të femrave me motorë ose në këmbë, si dhe të vjedhjeve të ndryshme të kryera në autobuz.


Dje pasdite, agjentët e policisë kishin lënë takimin me kontigjentët të cilët ata kishin detyrë t'i arrestonin. Në fakt, takimi kishte qëllim pagesën e "taksës" javore. Sapo dy agjentët e policisë janë takuar me dy personat në një lokal në kryeqytet, kanë marrë në dorë shumën e majme të 30 mijë lekëve të reja.


Gjithçka më parë kishte nisur të regjistrohej me mjetet speciale të hetimit dhe të përgjimit të prokurorisë dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Sapo dy agjentët kanë marrë paratë në dorë dhe dy "vartësit e tyre" tentonin të largoheshin, iu janë vënë prangat. Atyre iu është komunikuar akuza si dhe vendimi i arrestit i dhënë nga Gjykata e Tiranës në mungesë për ta.


Hetimi


Disa muaj më parë, shërbimet e komisariatit të Policisë nr.3 në mënyrë të herë pas hershme ishin munduar të arrestonin persona të përfshirë në vjedhje të ndryshme ndaj personave të ndryshëm, kryesisht femra, të cilave iu vidheshin çantat.


Po kështu problem ishin bërë edhe vjedhjet në autobuz. Pas disa përpjekjesh të policisë, ndërhyrjet e saj nuk kishin qenë të suksesshme. Drejtuesve të bluve të kryeqytetit dhe të komisariatit nr.3 iu kish rënë në vesh përfshirja e njerëzve të tyre dhe menjëherë kanë nisur verifikimet dhe SHKB-ja hetimin.


Pas disa kurthesh ndaj tyre që kishin dështuar, hetuesit e SHKB-së dhe të Prokurorisë mundën të siguronin përgjime dhe prova të ndryshme që provonin përfshirjen e policëve në krim.


Nga hetimi është ngritur dyshimi se policët e arrestuar përfitonin para duke favorizuar vjedhësit si dhe duke i drejtuar ata si të punonin. Këto dyshime pritet të sqarohen nga hetimi i mëtejshëm i prokurorisë.

Policët e arrestuar


Kryeinspektor Preng Froku, 43 vjeç, ndihmës specialist në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr 3
Inspektor Besnik Preni, 34 vjeç, ndihmës specialist në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr 3,

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›