E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese, në vështirësi për pagat

Mazhoranca vendosi t’i shkurtojë 5.7 milionë lekë për 2010-n

Përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese kërkuan dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve që të rishikoheshin shkurtimet me 22 për qind që i ishin bërë buxhetit të tyre, pasi ai nuk mundësonte vijimësinë normale të punës së tyre. Sekretari i përgjithshëm i Kushtetueses, Kujtim Osmani, deklaroi se këto shkurtime cenonin në pesë muajt e ardhshëm marrëdhënien e kësaj gjykate me institucionet e rëndësishme të bashkëpunimit. Po kështu, Osmani gjatë pjesëmarrjes së tij në komision, theksoi se një tjetër problem i kësaj gjykate është edhe mospagesa prej muajit mars të 11 punonjësve të saj dhe po kështu problem për këtë gjykatë është ulja e shpenzimeve operative që krijon vështirësi edhe për shpenzimet bazë të institucionit. Në mënyrë të detajuar, përfaqësuesi i gjykatës theksoi se veprimtaria ndërkombëtare e këtij institucioni nuk mund të funksionojë më, nisur nga shkurtimet e mëdha që do të ndërmerren në buxhetin e tij. “Reduktimi i buxhetit në masën 22% e vë në vështirësi Gjykatën Kushtetuese në realizimin e veprimtarive ndërkombëtare që rrjedhin nga programi i Komisionit të Venecias, si dhe i marrëveshjeve dypalëshe që ka lidhur kjo gjykatë me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatën Kushtetuese Italiane dhe atë të Kosovës etj.”, theksoi përfaqësuesi i kësaj gjykate në komisionin parlamentar. Në këtë kuadër, Osmani theksoi se tashmë gjykata jonë nuk dërgon dot në Strasburg as këshilltarët e saj sipas një programi që ka vazhduar prej vitesh. “Për të përballuar këto programe nga ana jonë janë detajuar 4.6 milionë lekë shpenzime dhe reduktimi i tyre në 2.8 milionë e kufizon pothuajse tërësisht Gjykatën Kushtetuese të marrë pjesë në këto veprimtari”, theksoi Osmani. Në lidhje me çështjen e pagave të 11 punonjësve, kërkoi një zgjidhje të menjëhershme. “Duhet që të bëhet rregullimi i nevojshëm ligjor i numrit të punonjësve në organikën e Gjykatës Kushtetuese nga 42, në 53 punonjës, pasi që nga data 15 mars 2010, kanë mbetur pa pagë 11 punonjës, ndërkohë që në janar fondi i pagave për gjykatën është miratuar për 53 punonjës”, theksoi Osmani. Nga ana tjetër, ai theksoi se ulja e shpenzimeve operative krijon vështirësi për pagesat e shërbimeve bazë me energji elektrike, ujë dhe shpenzime të tjera administrative në kushtet e rritjes së çmimeve të tyre. Por të gjitha këto argumente nuk sollën dje në Komisionin e Ligjeve ndryshim të qëndrimit të mazhorancës për sa i përket uljes së buxhetit. Drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, theksoi se shkurtimi i vetëm i stafit lidhej me shoferët dhe jo me pjesën tjetër të administratës së gjykatës. Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës në komision kërkuan që Kushtetuesja ta pranonte këtë shkurtim stafi dhe të reduktonte shpenzimet e saj operative, siç ishin telefonat celularë. Deputetët e opozitës, nga ana tjetër, kërkuan që kërkesat e Gjykatës Kushtetuese të merreshin parasysh lidhur me rëndësinë e madhe që paraqiste ky institucion.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›