E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat, pa marrëveshje edhe takimi i dytë Ruçi Patozi

Qëndrimet për çuarjen e çështjes së kutive të votimit në komisionin e Venecias ndajnë palët

Ka përfunduar pa asnjë marrëveshje edhe raundi i dytë i negociatave mes krerëve të grupeve parlamentare të PS-PD, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi. Ashtu sikurse edhe përflitej prej ditësh, takimi është zhvilluar një ditë para seancës plenare të sotme, e cila është e parafundit për këtë sesion. Në përputhje me praktikën e deritanishme, të dy negociatorët kanë mbajtur heshtje të plotë dhe nuk kanë bërë asnjë deklaratë për shtyp pas përfundimit të diskutimeve që kanë zgjatur rreth 1 orë. Për pasojë, bllokimi i situatës që pritet të ketë një raund tjetër sot, i jep të drejtë supozimit se kriza e hetimit parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 në fakt është reduktuar në një krizë teknike që lidhet me administrimin e fletëve të votimit. Kështu, rruga e vetme pas së cilit teorikisht qëndron një konsensus paraprak, është nisja e punës së Komisionit parlamentar Hetimor me shumicë dhe drejtim të opozitës, këqyrja e materialeve zgjedhore, ndërkohë që për fletët pala e interesuar do të duhet të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Në frymën e këtij procedimi ka një disponim pozitiv edhe nga shumica në pushtet, e cila refuzon me forcë variantin opozitar që sugjeron një kërkesë direkte për vlerësim juridik nga Komisioni i Venecias. Në këtë kuadër, opsioni i vetëm që ka mbetur për të hapur rrugën e marrëveshjes konkrete është ai që ndërmjetëson pretendimet e Partisë Socialiste me Komisionin e Venecias përmes Kushtetueses, duke përfillur me këtë rast një argumentim të hershëm të shumicës. I mbetur aktualisht si pikë e vetme kritike në negociatat mes dy palëve, problemi në fjalë nyjëtohet si çelësi i hetimit zgjedhor, që për shkak të aspekteve procedurale ka mbetur i bllokuar. Në aspektin politik, edhe dje takimi mes dy përfaqësuesve ka ndarë thuajse të njëjtin qëndrim për 28 qershorin, integriteti i të cilit në kuptim të fakteve konkrete varet nga vlerësimi i fletëve të votimit. Kjo e bën të panegociueshëm lëshimin nga PS-ja të kërkesës për hapje të kutive të votimit, që aktualisht ndodhet përpara një sfide për zgjidhjen e së cilës u investua më shumë nga të gjithë faktorët e tjerë të interesuar. Një rëndësi shtesë i jep kësaj situate edhe fakti se interesi i opozitës gjeti një jehonë pozitive në ambientin ndërkombëtar që u materializua te rezoluta e miratuar më 8 korrik në Strasburg, e cila kërkon hetimin e 28 qershorit por përmes një marrëveshjeje që do të duhet të gjendet nga përfaqësuesit shqiptarë. Për pasojë, përgjegjësia e dyshes PS-PD në zgjidhjen e krizës politike është thuajse e njëjtë, për sa kohor që edhe afatet e diskutimit të saj të afërt lidhen me seancën e fundit plenare të Parlamentit, që është të hënën e ardhshme. Një transferim i problemit për në shtator do e komplikonte edhe më shumë problemin në aspektin juridik, pasi rreth muajit gusht pritet dekreti i Presidentit për zgjedhjet lokale, çka vë në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mbarë vendin drejt një objektivi të ri. Rrjedhimisht, zgjidhja nëse do të vijë, duhet të gjendet brenda këtyre ditëve, pasi edhe vetë kërkesa për transparencë ndodhet në kufijtë e aktualitetit të vet politik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›