E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia ballkanike, nesër flet për Kosovën

Edhe vendet e Ballkanit e presin me interesim mendimin e GJND-së

Edhe vendet e rajonit të Ballkanit po e presin me interesim të madh mendimin konsultativ që do të japë sot Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa nuk paralajmërojnë sesi do të reagojnë ata ndaj këtij mendimi të GJND-së, megjithëse qëndrimet e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës tanimë janë të njohura. Këto vende, përmes organeve dhe zyrtarëve të lartë në prononcimet e tyre më të fundit, vënë në dukje se qëndrimet e tyre ndaj mendimit të lartpërmendur të GJND-së ata do t’i bëjnë të ditur mbas shpalljes së tij.

Në Podgoricë të Malit të Zi, zyrtarët e lartë të këtij vendi, në deklaratat e tyre të fundit në media, kanë deklaruar se tani për tani ata nuk do të thonë asgjë lidhur me reagimin e ardhshëm të këtij vendi ndaj mendimit të GJND-së. “Kur të shpallet mendimi i GJND-së, ne do ta shqyrtojmë atë me vëmendjen që meriton dhe më pas me përgjegjësinë e duhur do të njoftojnë qëndrimin tonë. Edhe në rast se Serbia do të formulojë projektrezolutën që ka paralajmëruar se do ta paraqesë në OKB, Mali i Zi edhe atë do ta shqyrtojë me vëmendjen që meriton dhe do ta njoftojë më vonë qëndrimin e tij ndaj këtij dokumenti”, vihet në dukje në një prononcim të fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi për gazetën e përditshme serbe, “Politika”.

Ambasada e Sllovenisë në Beograd ritheksoi qëndrimin e njohur të Sllovenisë, e cila tanimë e ka njohur Kosovën, duke vënë dukje se ajo do të reagojë ndaj mendimit konsultativ të GJND-së pas shpalljes së tij. Me këtë rast, ajo ritheksoi edhe një here qëndrimin e njohur të Sllovenisë se për këtë vend nuk është e pranueshme asnjë lloj ndarjeje e Kosovës. “Sllovenia, sikurse dihet, e ka njohur tanimë pavarësinë e Kosovës dhe ajo është kundër çdo lloj ndarjeje të saj. Ajo që duhet të theksohet tani është se është i nevojshëm një dialog mes Beogradit dhe Prishtinës për çështjet praktike, zgjidhja e të cilave do të ndihmonte në një mënyrë ose tjetër, për lehtësimin e jetesës së njerëzve në Kosovë, si të serbëve, ashtu edhe të shqiptarëve”, i vuri në dukje ambasada sllovene gazetës “Politika”.

Në pritje të shpalljes së mendimit të GJND-së, Ministria e Jashtme e Rumanisë, në një deklaratë të saj në media, vuri në dukje se “Rumania pret me interesim shpalljen e mendimit konsultativ të GJND-së lidhur me përputhjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare”. Sipas MPJ-së rumune, “karakteri kompleks i problemit kërkon që argumentet që do të paraqesë GJND-ja, të shqyrtohen me kujdes të veçantë, në mënyrë që më vonë të formulohet qëndrimi përkatës”.

Sidoqoftë, sikurse thekson MPJ-ja rumune, qëndrimi i Rumanisë dihet, ajo nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ljubisha Georgievski, ambasador në Beograd i Maqedonisë, e cila tanimë e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pyetjes së medias serbe lidhur me reagimin e Shkupit zyrtar ndaj mendimit të GJND-së iu përgjigj dje shkurt, duke deklaruar se vendi i tij do të tregojë përmbajtje.

Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç, nga ana e tij, pasi vuri në dukje se vendi i tij nuk e ka njohur deri tani pavarësinë e Kosovës, theksoi dje se reagimi i Bosnjë-Hercegovinës do të pasojë menjëherë mbas shpalljes së mendimit të GJND-së.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›