E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rossman & Lala”, produktet dyfish më shumë se në Gjermani

Nga Loreta Koleci  –Zëri

Një shampo që në Gjermani kushton 3.29 euro, në Shqipëri shitet 7.60 euro. I njëjti produkt, e njëjta markë, i njëjti rrjet dyqanesh. Ndryshon vetëm vendi dhe çmimi dyfishohet.

Ky nuk është një rast i izoluar, por një realitet i përditshëm për konsumatorët shqiptarë, veçanërisht në rrjetet e mëdha të shitjes me pakicë si Rossmann.

SHAMPOJA NË ROSSMANN & LALA

Pyetja është e thjeshtë: Pse shqiptarët paguajnë më shumë se gjermanët për të njëjtat produkte? Para se të japin përgjigje pyetjes, shohim disa produkte të njëjtja se me çfarë vlere shiten në vendin tonë dhe në Gjermani.

ZËRI ka realizuar një krahasim të disa produkteve të njëjta të shitura në Rossmann në Gjermani dhe në Rossmann & Lala në Shqipëri.

Nga krahasimi i çmimeve të disa produkteve të përditshme mes Shqipërisë dhe Gjermanisë të bërë nga ZËRI, vërehet qartë se çmimet në Shqipëri janë dukshëm më të larta. Për të gjitha produktet e përfshira në analizë, diferenca e çmimeve varion nga 55% deri në 133%, duke treguar një pabarazi të madhe mes dy tregjeve.

Diferencën më të lartë e ka shampoja, e cila në Shqipëri kushton më shumë se dyfishin e çmimit në Gjermani. Po ashtu, produkte si zbutësi i rrobave, maska për rrathët e syve dhe parfumi rezultojnë 65-75% më të shtrenjta në Shqipëri. Edhe për produkte me kosto më të ulët, si letrat e lagura, çmimi në Shqipëri mbetet mbi 50% më i lartë.

Po edhe ta krahasosh Shqipërinë me Kosovën, prapë ka një diferencë çmimesh!

Nga krahasimi i çmimeve rezulton se të gjitha produktet janë më të shtrenjta në Shqipëri sesa në Kosovë. Diferenca varion nga 7.55% (letrat e lagura) deri në rreth 22% (zbutësi i rrobave dhe shampoja). Në përgjithësi, mesatarisht produktet rezultojnë rreth 16% më të shtrenjta në Shqipëri. Në përfundim, Kosova paraqitet më konkurruese në çmime për produktet e konsumit personal dhe shtëpiak.

Argumenti më i përdorur për çmimet e larta është TVSH-ja dhe kostoja e transportit. Por TVSH-ja në Shqipëri është 20%, ndërsa në Gjermani 19% dhe në Kosovë 18%, pra një diferencë minimale. Kostot e transportit për mallra konsumi përbëjnë një pjesë shumë të vogël të çmimit final dhe nuk mund të justifikojnë diferenca që arrijnë deri në disa fish.

Nëse nuk janë taksat dhe nuk janë kostot, atëherë mbetet vetëm një shpjegim: mungesa e konkurrencës reale në treg. Këtë e konfirmon edhe një studim i vitit 2024 nga eksperti i ekonomisë Ilir Ciko, me titull “A Market Competition Index for the Western Balkans”. Studimi analizon çmimet e produkteve identike të shitura nga të njëjtat kompani shumëkombëshe në Ballkanin Perëndimor dhe në Bashkimin Europian.

Sipas studimit Shqipëria ka nivelin më të ulët të konkurrencës në rajon. Çmimet për produkte identike janë mesatarisht deri 80% më të larta se në BE. Sipas Cikos diferencat në çmime nuk lidhen me kostot, por me fuqinë e tregut dhe dobësinë institucionale. Sipas studimit, çmimet janë më të larta sepse kompanitë operojnë në një mjedis ku presioni konkurrues është i dobët dhe rreziku i ndërhyrjes shtetërore është minimal.

Gjithmonë mendja na shkon te ligjet shqiptare nëse e parandalojnë krijimin e kësaj situate apo jo?

Në teori, Shqipëria ka ligje që duhet ta parandalojnë këtë situatë.

Ligji nr. 9121 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” ndalon shprehimisht abuzimin me fuqinë e tregut. Neni 9 i cili është Abuzimi me pozitën dominuese në treg përcakton në pikën 1: Ndalohet çdo abuzim me pozitën dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje, që e zotërojnë këtë pozitë në treg.

Në pikën 2. Mund të përbëjnë abuzim me pozitën dominuese veçanërisht: a) vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit;

Ndërkohë, neni 70 i këtij ligji në pikën 1 të tij thekson qartë se: “Autoritetet e administratës qendrore dhe vendore, entet dhe institucionet e tjera rregullatorë, gjatë kryerjes së detyrave për rregullimin e veprimtarisë ekonomike në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e këtij ligji dhe të sigurojnë një konkurrencë të ndershme dhe efektive.”

Edhe Ligji nr. 9902 “Për Mbrojtjen e Konsumatorëve” është i qartë. Neni 4 që përbën “Të drejtat e konsumatorëve” ku në pikën b thuhet: e drejta e mbrojtjes së interesave ekonomikë;

Po ashtu Neni 52 thotë:

1. Për shqyrtimin e shkeljeve dhe marrjen e masave për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, si dhe të akteve nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji, me përjashtim të funksioneve që kryen struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, të përcaktuara në nenin 51 të këtij ligji, krijohet Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve.

Rossmann & Lala argumenton se diferencat e çmimeve mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Kosovës për produkte identike lidhen me strukturat e ndryshme ekonomike, fiskale dhe operative të secilit shtet. Sipas kompanisë, produktet në Shqipëri dhe Kosovë janë importi dhe për rrjedhojë përfshijnë kosto shtesë si transporti ndërkombëtar, siguracioni, procedurat doganore, taksat dhe magazinimi. Në çmimin final ndikojnë gjithashtu TVSH-ja sipas legjislacionit përkatës dhe shpenzimet operative si qiratë, pagat, energjia dhe karburanti, të cilat ndryshojnë nga një treg në tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›