E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata dënon Ballën për akuzat ndaj Pollos. Balla: Dinjiteti i tij vlen 30 mijë lekë

balla

Deputeti socialist, Taulant Balla, është shpallur fajtor dhe dënuar me një gjobë nga ana e Gjykatës së Tiranës, për akuzat e bëra ndaj ministrit Genc Pollos.

Sipas gjykatës, akuzat e Ballës nuk janë të vërteta dhe për këtë arsye ai dënohet me 30 000 mijë lekë, si dhe pagimin e shpenzimeve të 17 seancave gjyqësore të zhvilluara në këtë rast.

Kjo gjobë nuk është për arsye ekonomike sesa si një ndëshkim, pasi me deklaratat e tij në foltoren e Parlamentit deputeti Balla i ka shkaktuar dëm ministrit Pollo, duke ndikuar negativisht në opinionin publik”, tha gjyqtari Bledar Abdullai.

Pas vendimit të gjykatës ka reaguar edhe deputeti socialist, Taulant Balla, i cili nuk është tërhequr nga akuzat e tij. Madje, Balla ka hedhur disa akuza të reja ndaj Genc Pollos për tenderin e rrjetit dixhital.

Në fund, Balla ka falenderuar me ironi gjyqtarin që nuk e ka vlerësuar më shumë se 30 mijë lekë dinjitetin e Pollos.

“Gjyqtari nuk kishte si të jepte vendim tjetër, megjithëse edhe vetë e kuptoi gjatë seancave gjyqësore se gjithçka kam thënë është e vërtetë. Për ta kuptuar më thjeshtë të gjithë shqiptarët, unë sot u dënova me vendim gjykate sepse kam thënë se rrugët e Shqipërisë janë çarë nga një kompani e cila nuk ka pasur licencë dhe leje. A janë çarë apo nuk janë çarë rrugët në çdo cep të Shqipërisë? A u ça Rruga e Kombit për të shtrirë kabllin e fibrës optike? Pse u tërhoq Genc Pollo nga licencimi i këtij rrjeti që do t’i jepte buxhetit të shtetit 12 milion euro? Pse nuk i lihet kohë Prokurorisë që të hetojë këtë rast korrupsioni? Shqiptarët do ta gjykojnë me 23 qershor se kush ka të drejtë. Duhet rilindje edhe për sistemin gjyqësor, për ta shpëtuar nga kontrolli i Saliut. Ndërsa Genc Pollos i them se do të hetohesh për të gjithë pazaret që ke bërë dhe po bën. Edhe këto dite po tenderon me shpejtësi dhe fshehtësi rrjetin dixhital të televizionit prej 25 milionë eurove. Në fund dua ta falenderoj gjyqtarin, i cili vlerësoi se dinjiteti moral i Genc Pollos vleka 30 mije lekë, tha deputeti socialist pas vendimit të gjykatës.

Balla kishte akuzuar në tetor të 2011-s në Kuvend ministrin Pollo për afera korruptive, ndërkohë që tashmë ai i është bashkuar serisë së shumtë të deputetëve socialistë, të dënuar nga ana e gjykatës për shkak të akuzave ndaj qeveritarëve apo fëmijëve të kryeministrit Berisha./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›