E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ PS: Berisha të dëgjojë miqtë tanë, duhet rikthyer legjitimiteti i KQZ-së (VIDEO)

vasiPartia Socialiste i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Berisha, për të dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve në lidhje me situatën e krijuar në KQZ. Deputetja Vasilika Hysi ka thënë në një konferencë shtypi se, ashtu siç janë shprehur të gjithë miqtë ndërkombëtarë, rrëmbimi i anëtarit të KQZ-së nga Berisha, nuk mbështetet në ligj.

Çdo ditë e më tepër, po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët se tentativa e Sali Berishës për të rrënuar KQZ është kthyer në një burim alarmi për të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Njëri pas tjetrit, ambasadorë, zyrtarë të lartë, komisionerë e miq të tjerë të shqiptarëve në BE dhe SHBA kanë deklaruar se rrëmbimi i anëtarit të KQZ nga mazhoranca e Sali Berishës është i pambështetur në ligj dhe ka kompromentuar rëndë besueshmërinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Në të njëjtën linjë ishin dje edhe Komisioneri Fule, Ambasadori Arvizu, Drejtori i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore të cilët theksuan rëndësinë jetike të mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në 23 qershor, por edhe koston e papranueshme që do të kishte për vendin cenimi i standardeve më të larta ndërkombëtare dhe europiane në këto zgjedhje.

Po ashtu edhe SHBA në vijimësi të mesazheve dërguar kryeministrit cilëson si domosdoshmëri rikonstituimin e KQZ-së, si një akt të nevojshëm për të rikthyer besimin te procesi zgjedhor, ka thënë deputetja Hysi.

Ajo është shprehur se PS është e gatshme për të punuar për gjetjen e një zgjidhje për situatën e krijuar me KQZ-në.

Partia Socialiste e ka theksuar në vijimësi domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të KQZ, si institucioni kryesor për administrimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Nisur nga kjo bindje, por edhe në përgjigje të shqetësimit të partnerëve tanë në BE dhe SHBA, ne si PS jemi të gatshëm për të punuar për të gjetur një zgjidhje e cila do të garantonte integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, e ftojmë kryeministrin në ikje që në këto momente të dëgjojë zërin e arsyes dhe shqetësimin që nuk vjen vetëm nga Partia Socialiste dhe opozita, por nga të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë në këto momente delikate për vendin tonë, përfundoi Hysi./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›