E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Gjykata dha vendim të kontrolluar për Rrogozhinën”, Berisha: Rama-Vuçiç duan ndarjen e Kosovës

Zgjedhjet vendore të 14 majit kanë qenë kryefjalë e deklaratës së bërë këtë prëmte nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit akuzon organet e trajtimit të ankesave se po sillen në mënyrë antiligjore, duke theksuar se drejtuesi i KAS mban flamurin e “lakejve të regjimit”.

Berisha e kosndieron skandaloz votimin e dokumentuar në Kuçovë, për të cilin thotë se do përmban të gjithë mekanizmat e manipulimit të votës brenda qendrës së votimit.

“Çdo ditë që kalon, farsa elektorale nxin edhe më shumë, bëhet më e zezë. Hapjet e dokumenteve dëshmojnë se me 14 maj, shqiptarët përjetuan një farsë të tillë që mund të mbahet mend vetëm në kohërat e diktaturës. Në mënyrë antiligjore po sillen edhe organet e trajtimit të ankesave.

Dje, në Kolegjin Elektoral u shqyrtua dosja e Rrogozhinës, në të cilën kutia e burgut të Rrogozhinës nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të një qendre të votimit. Pra, para çdo gjykatësi me minimumin e integritetit profesional, ajo shpallej e pavlefshme. Dhe tani gjykata, në një vendim të kontrolluar, shpalli të gjithë zonën të pavlefshme për një qendër votimi”, tha Berisha.

Referuar tensioneve në veri të Kosovës dhe draft-asociacionit të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, Ish-kryeministri u shpreh se kreu i qeverisë shqiptare së bashku me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç duan luftë dhe ndarjen e Kosovës.

Berisha i ka drejtuar një thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të jetë i vëmendshëm ndaj Rama-Vuçiçit të cilësuar nga ish-kryeministri, si dy autokratë.

“Ky është një skenar i përkeqësimit të krizës, në një kohë kur kërkohet shpërshkallëzimi i saj, shtensionimi i saj.

Rama dhe Vuçiç po e acarojnë atë. Rama dhe Vuçiç po koordinojnë gjithnjë në projektin e tyre të mëparshëm. Çdo ditë Vuçiç, njeriu që e ka vendin në Hagë, flet për luftë. Thotë se Albin Kurti do luftë, si mund të dojë një vend pa ushtri luftë? Luftë do ai me vëllain e tij në Tiranë, sepse duan ndarjen e Kosovës.

Prandaj i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të jetë i vëmendshëm ndaj veprimeve të këtyre dy autokratëve famëzinj.

Përsëris thirrjen time ndaj autoriteteve të Kosovës që të bashkëpunojnë për shtensionimin e situatës dhe rikthimin sa më parë te Marrëveshja e Ohrit si një marrëveshje e cila në vlerësimin tim, jep një përparim të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›