Nikolla pret Orban: Bashkëpunimi Shqipëri – Hungari i ngushtë, mbështetës e miqësor

“Bashkëpunimi politik mes Shqipërisë dhe Hungarisë është i ngushtë, mbështetës e miqësor”. Ky ishte vlerësimi i kryetares së parlamentit Lindita Nikolla gjatë takimit me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, dhe delegacionin qeveritar, cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e zëshme të Hungarisë ndaj perspektivës së integrimit të Shqipërisë në BE si edhe për mbështetjen proaktive dhe të përkushtuar në zhvillimin dhe integrimin evriopian të rajonit, nisur nga vizioni se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa shtetet e këtij rajoni kanë nevojë për BE-në.” tha kryetarja e parlamentit.
Gjatë bisedës zonja Nikolla dhe zoti Orban vlerësuan se të dy vendet kanë potenciale për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në sektorë kyç si infrastruktura, transporti, bujqësia, turizmi, digjitalizimi dhe siguria kibernetike, energjia e rinovueshme, sistemi hekurudhor etj.
Kryeministri Viktor Orbán vuri në dukje kontributin e marrëdhënieve politike në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Ai ftoi me këtë rast kompanitë shqiptare të investojnë në Hungari.
Situata rajonale ishte nje tjetër teme e bisedimeve. Duke shprehur keqardhje për kundërshtimin e Hungarisë ndaj fillimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Kryetarja Nikolla i kërkoi Kryeministrit Orbán rishikimin e këtij qëndrimi.
Kryetarja Nikolla dhe Kryeministri Orbán diskutuan edhe mbi nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare dhe forumet shumëpalëshe.
Në harkun kohor të dy javëve vizita e zotit Orban në Tiranë është e dytë e një shtetari të lartë hungarez në Shqipëri.
Në fillim të muajit Tiranën e vizitoi presidentja e Hungarisë Katalin Novak.
Në fjalën e saj përshëndetëse në parlament, zonja Novak shprehu mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ajo tha se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishëm, pasi ato kanë rol në ruajtjen e sigurisë edhe të BE-së. presidentja hungareze tha se jo vetëm Shqipëria ka nevojë për BE, por edhe BE për Shqipërinë.
/ rtsh.al /