Gjykata e Lartë, PD: OK dekretit të presidentit Topi
TIRANË- Mazhoranca e djathtë ka vendo sur të votojë de- kretin e Bamir Topit për anëtar të ri të Gjykatës së Lartë. Bëhet fjalë për Artan Zenelin, kreun aktual të Gjykatës së Tiranës të cilin PD-ja e rrëzoi katër vjet më parë për shkak se sipas saj nuk plotësonte kriteret dhe se z.Topi nuk ishte konsultuar me parlamentin për përzgjedhjen e kandidaturës. Por pavarësisht kontestimeve, madje nga deputetë të veçantë pati dhe akuza për marrje ryshfeti nga gjyqtari Zeneli, tashmë PD-ja do të hedhë pas krahëve të gjitha kundërshtitë që i bëri në vitin 2008 kandidatit të presidentit. Burime brenda grupit parlamentar të PD-së bëjnë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se këtë herë do të votohet emri i Artan Zenelit për anëtar të Gjykatës së Lartë. Për këtë, parlamenti ka nisur dhe procedurat e zgjedhjes së tij. Konferenca e Kryetarëve miratoi para dy ditësh propozimin e mazhorancës që Komisioni i Ligjeve të mblidhet të hënën në mesditë për të zhvilluar një seancë dëgjimore me kandidatin e dekretuar nga Presidenti Topi për në Gjykatën e Lartë, Artan Zeneli. Megjithëse dekreti i kreut të shtetit ka dalë që në muajin shkurt dhe afati i fundit për ta shqyrtuar atë ishte prilli, vetëm para dy ditësh emri i kryetarit të Gjykatës së Tiranës është futur në procedurë parlamentare. Gjatë dy ditëve të ardhshme pritet që nga disa institucione të vijnë qëndrimet zyrtare lidhur me figurën e Zenelit përpara se deputetët ta pyesin në Komision. Kandidatura e Artan Zenelit është rrëzuar nga mazhoranca në vitin 2008, së bashku me Altina Xhoxhajn, Kristaq Trajën, Medi Bicin dhe Zamir Podën. Por, me dekret të Presidentit të Republikës, Artan Zeneli është kandidati që i kthehet sërish për votim Kuvendit për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Burimet saktësojnë se për dekretin e Presidentit do të vendoset zyrtarisht ditën e hënë, ditë kur komisioni i ligjeve do të nisë shqyrtimin e dekretit të Topit.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)