E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë, PD jep mbështetje vetëm për Medi Bicin

Kandidatura e Sokol Çomos pritet që të rrëzohet nga deputetët e PD-së. Një votim i tillë mund të ndiqet edhe për Vexhi Muçmatën. I vetmi që kalon provën është Medi Bici


TIRANË- Megjithëse nuk është shkruar në asnjë ligj, kriteri politik, ashtu si në rastin e Vangjel Kostës, rrezikon seriozisht edhe dy dekretet e tjera të Presidentit të Republikës Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë.


Bëhet fjalë për kandidaturën e Vexhi Muçmatës dhe atë të Sokol Çomos të cilët pritet që për shkak të karrierës ose për bindjet e tyre politike të marrin votën kundër të mazhorancës së djathtë.


I vetmi që ka marrë pëlqimin paraprak të shumicës së djathtë është kandidatura e Medi Bicit, pavarësisht se dy vite më parë po kjo mazhorancë e rrëzoi gjatë votimit për të njëjtën detyrë.


Rrëzimi


Pavarësisht deklaratave të ashpra të përfaqësuesve të shteteve më të fuqishme në botë lidhur me zbatimin e kriterit politik në vlerësimin e kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, shumica qeverisëse është e vendosur që ta zbatojë sërish atë edhe për dy nga dekretet e reja për në Gjykatën e Lartë.


Megjithëse ende nuk ka një vendim zyrtar grupi demokrat, burime të sigurta pranë tij kanë bërë të ditur se filozofia e ndjekur në rrëzimin e kandidaturës së Kostës do të përdoret edhe për kandidaturat Sokol Çomos dhe atë të Vexhi Muçmatës të cilët janë dekretuar nga kreu i shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.


I sigurt bëhet rrëzimi i Çomos i cili pavarësisht se nuk ka lidhje me sistemin e mëparshëm dhe për rrjedhojë nuk ka zhvilluar aktivitet profesional në atë regjim, do të votohet kundër për shkak të profilit të tij politikë.


Siç bëri të ditur edhe dy ditë më parë deputeti demokrat Eduart Halimi, mazhoranca e djathtë nuk do të pranojë të votojë asnjë kandidaturë që ka preferenca të hapura politike, apo që ka qenë emëruar në poste politike. Kështu, duket se e shkuara si zëvendësministër drejtësie gjatë qeverisjes socialiste do të penalizojë Sokol Çomon. I rrezikuar duket edhe Vexhi Muçmata, por jo për shkak të bindjeve politike, por për shkak të së shkuarës së tij profesionale.


Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe Muçmataj, ashtu si Kosta, mund të rrëzohet si kandidaturë pasi një pjesë të karrierës së tij profesionale juridike e ka pasur gjatë sistemit komunist, pra para viteve 90. Për rrjedhojë nga PD-ja thuhet se edhe Muçmataj ka marrë pjesë në procese politike.


Bici


E vetmja kandidaturë që ka gjetur mbështetjen e mazhorancës nga tre dekretet e miratuara së fundmi nga kreu i shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, është ajo e Medi Bicit.


Të njëjtat burime konfirmojnë se deputetët e djathtë do ta votojnë pro Bicin, pasi ai vjen nga shtresa e ish- të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunistë. Por pavarësisht se nga vjen ka qenë pikërisht kjo mazhorancë që e rrëzoi kandidaturën e Bicit dy vite më parë, kur edhe atëherë presidenti Topi e dekretoi po për Gjykatën e Lartë.


Rrëzimi i atëhershëm i kandidaturës së tij nga Kuvendi, solli reagimin e fortë të shtresës së ish- të përndjekurve dhe të vet Presidentit, të cilët e cilësuan të padrejtë vendimin e mazhorancës në disfavor të tij.


Por mazhoranca u justifikua atëherë se rrëzimi i kandidaturës së Bicit kishte të bënte me procedurat e ndjekura nga presidenti dhe se s'kishte të bënte me vet atë si person. Kështu duket se kësaj radhe, mazhoranca ka rastin të vendosë në vend marrëdhëniet e saj me shtresën e ish-përndjekurve.


Vexhi Muçmata


I lindur në vitin 1955, Vexhi Muçmata është diplomuar për drejtësi dhe aktualisht mban gradën shkencore "Master". Muçmata ka mbajtur detyra dhe poste të shumta në organin e akuzës si dhe në KLD. Për disa muaj gjatë vitit 1992 Muçmata ka mbajtur edhe postin e zëvendëskryetarit të hetuesisë së kryeqytetit dhe më pas deri në 1995, ka kryer detyrën e Drejtorit të Policisë Hetimore.


Në vitin 1995 ai është emëruar zëvendësprokuror i Rrethit në Tiranë, detyrë që e ka kryer deri në 15 tetor të vitit 1997. Më pas, Muçmata është emëruar prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, duke qëndruar deri në vitin 2002 kur mori postin e kreut të Prokurorisë së Tiranës. Në fillim të viteve 90 Muçmata ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (1993 deri në vitin 1997). Aktualisht Muçmata është prokuror në kryeqytet.

Sokol Çomo


Sokol Çomo i lindur në vitin 1972 është kandidatura e dytë e dekretuar prej Presidentit Bamir Topi për anëtar të Gjykatës së Lartë. 38-vjeçari që aktualisht kryen detyrën avokatit në Tiranë është diplomuar jurist në vitin 1994. Ai ka një karrierë të pasur në fushën e drejtësisë. Një vit pas diplomimit, pra që nga viti 1995 deri në tetor 1998 ka punuar si gjyqtar në Tiranë. Në tetor të vitit 1998 është bërë pjesë e kabinetit qeveritar si zëvendësministër i Drejtësisë, post të cilin e ka mbajtur deri në viti 2000.


Në fillim të vitit 2000 është zgjedhur zëvendëskryetar i Gjykatës së Tiranës dhe vetëm disa muaj më pas kryetar i saj. Çomo ka qenë anëtarë i KLD-së dhe aktualisht është anëtarë i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Që nga viti 2001 është pedagog i jashtëm i Procedurës Civile në Shkollën e Magjistraturës.


Medi Bici


Kandidatura e tretë e propozuar nga Presidenti i Republikës është ajo e Medi Bicit, i njohur jo vetëm për gjyqësorin, por edhe për partitë politike. Medi Bici ishte një nga 5 kandidaturat e rrëzuara plot dy vite më parë nga Kuvendi për anëtarë të Gjykatës së Lartë të propozuar nga Presidenti, Bamir Topi.


Medi Bici vjen nga radhët e ish të përndjekurve dhe pas rrëzimit të kandidaturës së tij nga Kuvendi, në qershor të vitit 2008, ish të përndjekurit protestuan, duke e cilësuar të padrejtë mungesën e votave nga mazhoranca në favor të kësaj kandidature. Bici ka lindur në vitin 1960 dhe ka kryer arsimin juridik gjatë viteve 1991-1994 dhe aktualisht është diplomuar në Master të Nivelit të Dytë.


Ai e ka nisur karrierën juridike në vitin 1992, kur ka nisur të punojë si jurist dhe vetëm dy vite më vonë emërohet gjyqtar në vitin 1994. Përgjatë karrierës 10 vjeçare si gjyqtar, Bici ka gjykuar një numër të konsiderueshëm çështjesh të të gjitha llojeve si penale, civile, tregtare dhe administrative. Në vitin 2004 Bici u emërua gjyqtar në Apelin e Krimeve të Rënda, post të cilin e mban edhe aktualisht.

Xhohn Uithers për emërimet


Dy ditë më parë gjatë një tryeze të organizuar nga ish-Presidenti Alfred Moisiu për përzgjedhjen e kandidaturave u shpreh: "Pavarësisht mbledhjeve tona të shumta, përfshi ato të sponsorizuara nga dy zotërinjtë pranë meje, të gjithë jemi të shqetësuar, të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej parlamentit i një kandidati shumë të shquar dhe shumë të kualifikuar, Z. Vangjel Kosta. Mënyra dhe mungesa e transparencës në rrugën se si u arrit ky vendim është befasues.


Ai duket sikur është shqyrtuar në bazë të kritereve të përvijuara në një projektligj lustracioni, i cili u hodh poshtë si nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ashtu edhe nga një opinion këshillues i Komisionit të Venecias".


Robert Bosch për emërimet:


"Unë për vete kam begraund politik dhe jo juridik, por do të thosha se e drejta e përzgjedhjes i takon presidentit dhe kur ai zgjedh parlamenti shikon vetëm kriteret profesionale. Në këtë rast kriteri politik nuk mund të luajë asnjë rol. Kandidaturat për në Gjykatën e Lartë duket se i plotësojnë kriteret ndaj Kuvendit i mbetet vetëm t'i votojë"


Fiona McIlwham për emërimet:


"Një sistem i pavarur gjyqësor është një nga gurëkyçët e një shteti demokratik dhe një kërkesë e Bashkimit Europian. Është jetësore që procesi të rrisë pavarësinë, integritetin, profesionalizmin e gjyqësorit dhe gjykatat të kenë besimin e duhur, sidomos nga opinioni publik në Shqipëri.


Është e nevojshme që zbatimi i Ligjit të bëhet njësoj për të gjithë dhe të mos ndikohet nga interesat politike. Ne jemi të shqetësuar për këtë proces, ndaj diskutimi i kësaj tryeze duhet të hedh dritë për të ardhmen"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›