E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitësit e lajthive, migjenianët modernë

REPORTAZH/ Sulo 13-vjeçar është një nga fëmijët që shet lajthi në aksin Patos Fshat - Ballsh. Ka lënë shkollën por shpreson që kur të ketë para, do ta vijojë sërish. Të paktën, kështu i ka premtuar babai


FIER - Shumëkush që ka udhëtuar për në drejtim të Ballshit padyshim ka vënë re në rrugën nacionale dhjetëra njerëz, midis tyre shumë fëmijë e gra, që tregtojnë në rrugë qeska me lajthi.


Klientët e tyre të rregullt janë drejtuesit e mjeteve, të cilëve u duhet të tregojnë kujdes kur kalojnë në këtë aks rrugor të populluar nga këta tregtarë të vegjël. Ata befas të dalin përpara duke rrezikuar jetën teksa duan të shesin lajthitë.


Më e populluar nga këta lloj shitësish është aksi Patos Fshat - Ballsh, që është edhe tregu ku lulëzon më shumë ky lloj biznesi. Sipas njërit prej tyre, Luli Hamzajt, 18 vjeç, kjo lloj tregtie është vetëm sa për të marrë një bukë për familjen. "Në çdo kohë jemi të rrezikuar, - thotë ai. - Kjo ndodh pasi na duhet të dalim përpara mjeteve për t'i ndaluar duke ngritur dorën lart me qeskën me lajthi.


Rrezikohemi pasi ka edhe drejtues mjetesh që tallen me ne, duke na e afruar makinën shumë afër. Rrimë gjithë ditën vetëm për 200 lekë të vjetra fitim për qeskën e shitur".


Ndërsa Hatixhe M. ka dalë bashkë me vajzën e saj 5-vjeçare. Ajo është e pozicionuar në një kthesë te vendi i quajtur Lajthitë. Kjo për vetë faktin se këtu në këtë zonë ka plantacione të mbjella me lajthi, të cilat i ka në pronësi vetëm një person.


Vendi ku rri ajo është me rrezik, pasi mjetet shpesh kalojnë me shpejtësi. "Dalim për bukën e gojës, por ka raste që rrimë gjithë ditën dhe nuk shesim asgjë. Unë shes edhe kumbulla, por askujt nuk i shkon ndërmend të blejë. Askujt nuk i vjen keq për ne.


Ka edhe zemërmirë që ndalojnë makinën dhe blejnë". Ajo tregon se të gjithë ata që bëjnë këtë lloj tregtie me lajthitë me qeska i marrin te një pronar, i cili i jep këto duke fituar shumë për vetë e duke ulur fitimin e tyre.


Në rrugë gjen edhe fëmijë që kanë lënë shkollën me pëlqimin e prindërve, pak me dhimbje për ta. Sulo është një nga këta fëmijë. Ai është vetëm 13 vjeç, ka lënë shkollën në klasën e gjashtë. Ka dhe një motër më të madhe.


Ajo ka mbaruar klasën e 9-të, por nuk ka mundur të vazhdojë shkollën me tej. "Nuk kemi lekë, - thotë Sulo. - Unë, - shprehet ai disi me krenari, - zë më shumë lekë pasi udhëtarët që kalojnë këtu, ndoshta u vjen keq për mua dhe qëndrojnë dhe më blejnë qeska me lajthi. Këtë e kanë vënë re disa më të rritur se unë dhe më qëndrojnë pranë duke më prishur punë.


Nuk u them gjë, pasi edhe kam frikë, por edhe ata vuajnë si unë". Sulos i vjen keq për shkollën. "Por do ta vazhdoj kur të jemi mirë, kështu më thotë babai, - shprehet Sulo 13-vjeçar që ka emrin e gjyshit të tij.


Rreth 2 kilometra nga Lajthitë qëndron në një tendë për t'u mbrojtur nga dielli një grua. Shtëpinë e ka afër rrugës dhe thotë se kjo gjë e ndihmon. Sa herë kalon ndonjë makinë ngrihet në këmbë duke ngritur njërën dorë lart për të joshur udhëtarët që të blejnë një qese me lajthi. "Kjo është e përditshme, - thotë ajo.


- Lodhemi gjithë ditën. Askush nuk na ndihmon. Nuk kemi të ardhura dhe unë kam katër fëmijë për të ushqyer. Burri punon me mëditje në fushat e botës për të marrë ndonjë lekë. Vjen bosh ndonjëherë pasi është bërë keq për lekë dhe nuk i japin ose nuk i ofrojnë punë".


E ndërsa flet, afrohet një burrë rreth të 50-ave. I lodhur, me një kosore në duar afrohet te vendi ku shet e shoqja. Fillimisht revoltohet kur sheh të shoqen duke biseduar, ndërsa makinat kalonin dhe ajo nuk vazhdonte ritualin e saj. "Duhet të blini pastaj të pyesni çfarë të doni, - thotë ai, por më pas i zbut tonet.


- E kemi nga e keqja. Nuk dimë me se të ushqehemi. Shteti nuk na ndihmon. Jam nisur qysh në mëngjes për të korrur bar të një banor i fshatit, por u largova pasi më tha që do të paguaj më vonë. Kështu më thonë të gjithë, por unë kam nevojë tani pasi kemi katër fëmijë për të ushqyer.


Kjo është gjendja ime e familjes. Shteti duhet të na ndihmojë. Nuk është jetë kjo duke shitur lajthi. Të gjithë e bëjnë këtë. Po kush do të shesë më parë? Të gjithë vuajnë për bukën e gojës. Ka rënë shumë puna edhe me këtë lloj biznesi. Më quajnë Petrit dhe nuk më vjen turp të shes në rrugë".


Janë mbi 30 vetë që shesin qeska me lajthi në këtë rrugë nacionale. Të gjithë ankohen. Ka edhe nga ta që janë të aftë për punë, por nuk kanë ku të punojmë. Fëmijët që duhet të ishin në shkollë, i sheh gjithë ditën rrugës vetëm e vetëm për të fituar të holla për të mbajtur familjen paçka se janë të rrezikuar nga aksidentet. Fjalët e Migjenit të madh akoma aktuale edhe sot gjejnë përshtatje në këta njerëz që rrezikojnë jetën për të fituar ca të holla "Kafshatë që nuk kapërdihet asht or vëlla mjerimi".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›