E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë lë në fuqi masën e arrestit në burg për Erion Veliajn

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi sot të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.

Kolegji Penal, i mbledhur sot në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim kërkesën e Erion Veliajt kundër vendimeve të gjykatave të posaçme, me palë të interesuar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Veliaj kërkoi shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që lidhen me masën e sigurisë ndaj tij.

Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 13 (87-2025-85), datë 13.03.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë rrëzon kështu kërkesën e Veliajt për shfuqizimin e vendimit të Apelit dhe lë në fuqi masën e sigurisë të caktuar ndaj tij.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›