E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta pranë gjimnazit, Policia e Tiranës: 12 të arrestuar dhe 15 nën hetim

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Dymbëdhjetë persona janë arrestuar në flagrancë dhe 15 të tjerë janë proceduar penalisht, pas tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë.

Policia e Shtetit bën me dije se gjatë protestës së djeshme, pjesëmarrësit dyshohet se cenuan perimetrin e sigurisë në një shkollë dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë.

Sipas Policisë së Tiranës, rreth orës 07:30, një grup personash u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” për zhvillimin e një tubimi pa lejen përkatëse dhe më pas vijuan marshimin drejt Rrugës së Durrësit.

Policia bën me dije se “grupimi ndaloi pranë një gjimnazi, ku pjesëmarrësit u bënë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrjen në tubim, duke cenuar perimetrin e sigurisë së shkollës”.

Pavarësisht thirrjeve të punonjësve të Policisë për t’u larguar nga perimetri i sigurisë dhe për lirimin e trotuarit për kalimin e qytetarëve, disa prej pjesëmarrësve nuk iu bindën urdhrave dhe kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 19 vjeç; D. B., 36 vjeç; A. D., 41 vjeç; E. B., 36 vjeç; R. D., 31 vjeç; B. I., 37 vjeç; V. D., 29 vjeç; A. M., 20 vjeç; A. A., 56 vjeç; R. K., 63 vjeç; K. B., 24 vjeç dhe E. Xh., 39 vjeç.

Ndërkohë, materialet iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 15 persona të tjerë, të moshave 18 deri në 49 vjeç.

Sipas Policisë, ndaj personave të arrestuar dhe të proceduar po hetohen veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›