E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet në Belgjikë i dënuari nga GJKKO si pjesë e një grupi kriminal

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Belgjikë, në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, njoftoi Policia e Shtetit.

Sipas Policisë, është kapur në Belgjikë dhe arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi J. K. alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak.

Në njoftim thuhet se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar dhe shitur sasi të mëdha të lëndëve narkotike, në disa shtete.

“Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e saj, në shtete të ndryshme. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, ky shtetas i ka investuar në 2 pasuri të paluajtshme (lokale), në Shijak”, thuhet në njoftim.

Policia thekson se vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasit të arrestuar, në Shqipëri.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›