E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon padinë e Aneta Ramës kundër Berishës

Tiranë, 12 prill, NOA - Gjykata e Lartë ka rrëzuar gjatë seancës së sotme padinë civile të paraqitur nga Aneta Rama, nëna e kryesocialistit Edi Rama, kundër kryeministrit Berisha, për ato që ajo i ka cilësuar si fyerje dhe akuza ndaj familjes së saj gjatë debateve publike në Kuvend.

Nuk është kompetencë e Gjykatës së Lartë të merret me këtë padi civile, le të kalojë në Gjykatën e Tiranës, ka qenë vendimi i marrë nga trupi gjykues lidhur më këtë çështje të ngritur pranë këtij institucioni nga nëna e Ramës.

Ndërkaq, gjatë seancës së sotme, avokati i paditëses, Arian Salati ka kërkuar që kryeministrit Berisha ti hiqet imuniteti, pasi sipas tij, ai ka shpifur ndaj Edi Ramës.

Ndërsa avokatja e kryeministrrit, e ka mbrojtur atë duke pohuar se deklaratat e bëra në Kuvend prej tij në adresë të Ramës, kanë qenë politike.

Paditësit të sjellin prova konkrete për të provuar shpifjen, ka pohuar Bllaca.

Padia civile e Aneta Ramës ndaj kryeministrit, i renditet listës së disa prej tyre që janë paraqitur në gjykatë ndaj tij javët e fundit nga biznesmenë por edhe politikanë të ndryshëm, pas akuzave publike që Berisha drejtoi në tërësi ndaj një grupi, i cili sipas tij ka lidhje me mafien e ndërtimit në kryeqytet.

Ndërsa emrin e nënës së kryetarit të socialistëve, Edi Rama, ai e ka përmendur gjatë një seance plenare, në përgjigje të akuzave të tij për të ashtuquajturën Familja kryeministrore.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›