E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë shpall të pafajshëm Kryeministrin

Nëna e kreut të opozitës paditi Berishën për fyerje. Kolegji Penal: Nuk ka vepër penale

Gjykata e Lartë ka shpallur të “pafajshëm” Kryeministrin Sali Berisha, i cili u padit për shpifje nga zonja Aneta Rama, nëna e kreut të opozitës. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arsyetoi se “vepra penale e pretenduar nga ankuesja Aneta Rama nuk i kundërdrejtohet asaj”. Dhe në bazë të nenit 290, 291 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: “Mosfillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Sali Berisha për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht, në dëm të kërkueses Aneta Rama”. Ndërkohë, pas vendimit, Aneta Rama ka deklaruar se vendimi është i padrejtë, ndërsa saktësoi se çështjen do e dërgojë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ndërkohë, në seancat e kaluara Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesat e Aneta Ramës për dëmshpërblim moral në dëm të Kryeministrit Sali Berisha. Kolegji Penal, i drejtuar nga gjyqtarja Evgjeni Sinoimeri, pasi dëgjoi pretendimet e avokates përfaqësuese të Kryeministrit dhe palës paditëse, vendosi të shpallë pushimin e gjykimit për këtë çështje. Avokatët e Aneta Ramës kanë deklaruar në gjykatë se deklaratat e Kryeministrit Berisha në Kuvend kundër Edi Ramës dhe familjes së tij janë të pavërteta dhe denigruese. Ata i kërkuan Gjykatës së Lartë që t’i hiqej imuniteti Kryeministrit Sali Berisha dhe të hetohej nga ky Kolegj Penal, ndërsa kërkuan praninë e një prokurori. Ndërkohë avokatët e Kryeministrit pohuan se deklaratat e klientit të tyre në foltoren e Kuvendit janë thjesht deklarata politike dhe duhen marrë si të tilla, madje, sipas tyre, vetë numri një i qeverisë ka shprehur respekt për zonjën Aneta Rama. Avokatët kundërshtuan pretendimet e paditësve për pjesëmarrjen e një prokurori, duke deklaruar se gjykata nuk është në këtë fazë dhe do të duhet një shqyrtim sa më i hollësishëm, pasi i mbrojturi prej tyre gëzon imunitet. Ndërkohë, Kolegji Penal u dha të drejtë pretendimeve të avokatëve të Berishës, duke e shpallur këtë të fundit të “pafajshëm” për akuzat e shpifjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›