Bandat e Durrësit, dëshmitarja e drejtësisë humb kujtesën
Seanca e djeshme gjyqësore ndaj 17 të pandehurve të bandave të Durrësit është karakterizuar nga debate të forta midis palëve në proces. Pas gjashtë orësh debat në seancë, palët kanë gjeneruar në sharje të ndërsjella, ndërsa trupi gjykues ka ndërprerë seancën duke larguar për sjellje të padenja avokatët Ferdinand Doja dhe Kloida Dashi. Ndërkohë, në fillim të seancës gjyqësore gjykata thirri sërish dëshmitaren e drejtësisë Valbona Jaho. Dëshmitarja Jaho është pyetur nga prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra, ndërsa nuk kanë munguar edhe pyetjet nga të pandehurit. Ajo ka ripërsëritur disa herë se “nuk mbaj mend, nuk më kujtohen”, duke zgjedhur një mënyrë që t’i hapë mundësinë prokurorisë të lexonte dëshminë e saj para oficerëve të policisë gjyqësore, duke treguar të gjithë historinë e saj, që nga dashuria me Klodian Saliun e deri te dërgimi i saj në Itali për të “punuar” si prostitutë. Seanca e djeshme është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe burime nga brenda sallës thanë se vajza nga Skrapari shpeshherë nuk ka dashur t’u rikthehet atyre kujtimeve, duke deklaruar se “e kam kaluar atë jetë, tashmë kam një jetë me fëmijën tim”.
Ajo i është drejtuar trupit gjykues duke deklaruar se nuk mban mend shumë detaje, ndërsa la të kuptohet se për saktësimin e të gjitha detajeve duhet të lexohen deklaratat para hetuesve. Në një moment vajza është përlotur dhe është dashur ndërhyrja e trupit gjykues për ta normalizuar, duke i dhënë mundësinë organit të prokurorisë të lexonte deklarimet. Mësohet se Valbona është pyetur edhe nga i pandehuri Lulzim Berisha nëse e njihte, ndërsa përgjigjja e vajzës është se “nuk mbaj mend”. Pas kësaj dëshmie prokurori Anton Martini ka lexuar procesverbalin 25 faqesh të dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore nga Valbona Jaho, e cila tregonte trafikimin e saj nga anëtarët e Bandave të Durrësit në Itali, ku është shfrytëzuar si prostitutë për një periudhë disavjeçare. Më parë vajza ishte mbajtur peng në Durrës, pasi ishte dëshmitarja kryesore në vrasjen e Marsel Sotirit.
Pas leximit të dëshmisë së Valbonës, trupi gjykues, me kërkesë të prokurorisë, kërkoi dëshmitaren Flora Jaho, nënën e dy vajzave që kanë fituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë. Zonja Flora ka treguar të gjithë historinë e vajzës së saj, nga vrasja e Marsel Sotirit e deri te trafikimi i saj në Itali. Ajo ka pranuar se Valbonën e kanë “punuar” në Itali dhe insistimit të trupës gjyqësore se çfarë pune kryente ka ndërhyrë avokatja Kloida Dashi, duke i thënë “pastiçiere”. Në këtë moment, në sallë krijohet një ilaritet dhe trupi gjykues nxjerr nga salla avokaten. Seanca ka vazhduar për disa minuta dhe sërish në sallë palët grinden me njëra-tjetrën. Trupi gjykues pretendon se avokatët kanë fyer dëshmitaren dhe si rrjedhojë nxjerrin nga salla edhe avokatin Ferdinand Doja. Në këtë mënyrë seanca ndërpritet.