E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë shqyrton më 23 prill kërkesën e Metës për lirim nga burgu

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 23 prill për shqyrtimin e kërkesës së ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kërkon lirimin nga paraburgimi.

Meta i është drejtuar disa herë më parë shkallëve të gjyqësorit me kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, por ato janë rrëzuar si në shkallën e parë ashtu edhe në atë të dytë.

Sipas mbrojtjes së tij, rrethanat e çështjes kanë ndryshuar, pasi dosja penale ndaj Metës është kaluar për gjykim, çka sipas tyre përbën arsye për rishikimin e masës së arrestit.

Kërkesa e Metës do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genta Shala.

Ilir Meta po hetohet për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”, akuza që ai i ka kundërshtuar më herët.

Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024. Dosja ‘Meta’ përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›