Gjykata e Lartë zbardh të plotë vendimi ndaj Metës, Dvorani me mendim paralel

Gjykata e Lartë ka zbardhur sot të plotë vendimin për shpalljen si të pafajshëm të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Kreu i LSI-së është deklaruar i pafajshëm për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv. Në vendim thuhet se një gjë e tillë nuk provohet se ekziston. Vendimi i Kolegjit Penal është shoqëruar me një mendim paralel të kryesuesit Ardian Dvorani.
Gjyqtari Dvorani shprehet se Ekspertët ishin persona posaçërisht të specializuar dhe me përvojë të gjatë e të spikatur në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar për informatikën ligjore dhe atë audio-video, zyrtarisht të njohur dhe angazhuar pranë autoriteteve hetimore e gjyqësore të shteteve të tyre. Aktet e ekspertimit plotësonin kërkesat ligjore të pranueshmërisë nga gjykata, ndërkohë që përmbanin veprime të qarta sipas standardeve të ekspertimit informatik e audio-video, si dhe përfundime të qarta e kategorike për tu vlerësuar e çmuar më pas nga gjykata, në raport me provat e tjera, në funksion të zgjidhjes në themel të çështjes. Ai nënvizon se Kolegji Penal nuk duhet të caktonte si ekspertë tre shtetasit shqiptarë që realizuan ekspertimin.
Dvorani e mbyll mendimin paralel duke u shprehur se kam mendimin që nëse nuk do të deklaronte të pavlefshme disa akte procedurale dhe nuk do të përjashtonte nga shqyrtimi disa prova, të cilat sipas mendimit tim ishin, respektivisht, të vlefshme dhe të nevojshme për objektin e të provuarit, Kolegji Penal do të arrinte të realizonte një hetim gjyqësor më të plotë, për rrjedhojë, do të arrinte të dispononte mbi prova të mjaftueshme dhe jo kontradiktore me vendim pushimi, pafajësie apo dënimi ndaj të pandehurit Ilir Meta.
Vendimi
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të pikës 1 të nenit 141 të Kushtetutës, të pikës 2 të nenit 75/b dhe të shkronjës a të pikës 1 të nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
1. Deklarimin e pafajshëm të së pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 388, pika 1 shkronja a të Kodit të Procedurës Penale.
2. Në bazë të nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale urdhërohet dorëzimi organit të prokurorisë të provave materiale vijuese:
- Orë tavoline (mikrokamer), ngjyrë argjendi, me përmasa të vogla, me formë rrethore, me bazë mbështetëse të sheshtë, me fushë ngjyrë qumështi, me tre akrepa, dy prej tyre ngjyrë argjendi me vijë të bardhë brenda tyre dhe akrepi i sekondave me ngjyrë portokalli, me numra me ngjyrë të zezë rreth fushës së orës, me nga një pikë me ngjyrë argjendi në formë rrethi, me një pikë më të vogël të bardhë brenda, mbi pjesën ku ndodhen numrat e fushës së orës, të cilat ndahen nga njëra-tjetra në distancë të barabartë nga katër pika të kuqe, me shënimin brenda në fushën e orës QUARTZ;
- Lap top (kompjuter dore) i markës Dell, me ngjyrë të zezë dhe me një shirit ngjyrë gri në të dy anët, me mbishkrimin XPS, me numër serie, model numër PP25L DELL LBL PIN X5030 A02 dhe numër (bar code) (01) 07898349891846 dhe kabëll për furnizim me energji të lap top-it me nr.CN-OXK850 48661-7A1-2YZT;
- USB (flash), memorie elektronike, ngjyrë bojëqielli, sipër me mbishkrimin HP-8gb, me përmasa 3.3×1.5 cm, brenda me mbishkrimin A99MMUDT dhe poshtë këtij C FC.
- Fish kabëll i llojit USB me ngjyrë të zezë;
3. Shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit, të realizuara nga grupi i ekspertëve gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, në vlerën 3.592.938 lekë, i ngarkohen shtetit.
4. Ky vendim është i formës së prerë.
Shpallur në Tiranë, në datën 16 Janar 2012
A N Ë T A R
Majlinda ANDREA
Gani DIZDARI
Guxim ZENELAJ
Arjana FULLANI
KRYESUES
Ardian DVORANI