Pavarësia e Kosovës, Topi uron presidenten Jahjaga

Kreu i shtetit Bamir Topi ka uruar sot presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga për ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në mesazhin e urimit, presidenti Topi theksoi se ky është një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë pasi festohet edhe 100-vjetori I Pavarësisë së Shqipërisë por edhe se Kosova po shkon drejt pavarësisë së mbikqyrur.
“Festa e Ditës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës më jep kënaqësinë dhe nderin e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t`ju përcjell Juve urimet më të përzemërta për shëndetin tuaj si dhe lumturinë, paqen dhe begatinë e popullit të Kosovës! Ky është një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë, duke na bërë të ndihemi shumë krenarë jo vetëm për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për progresin e madh në ndërtimin e shtetit që Kosova dhe qytetarët e saj po arrijnë, drejt përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur. Këto suksese janë arritur nga sakrifica të mëdha dhe shekullore të të gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, duke bërë që dy vendet tona të jenë gjithmonë e më afër në të gjitha drejtimet” ka theksuar Topi.
Kreu i shtetit Topi gjithashtu I ka konfirmuar homologes së tij Jahjaga mbështetjen e përzemërt dhe vllazërore që qytetarët e Kosovës do të gjejnë gjithmonë tek Shqipëria, qytetarët dhe shteti shqiptar. “Shteti i ri i Kosovës është njohur tashmë nga 87 shtete të ndryshme, por edhe është anëtarësuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore. Këto suksese, përpjekjet tuaja, si dhe vështirësitë e sfidat e reja që po kaloni janë pjesë e rrugës së pakthyeshme drejt integrimit euroatlantik që ju po synoni. Ne ju sigurojmë që këtë rrugë do ta kalojmë së bashku hap pas hapi, duke bërë që integrimi i suksesshëm i dy vendeve tona do të çojë në paqe të qëndrueshme, demokraci të plotë, zhvillim ekonomik dhe shtet ligjor, kaq shumë të munguara dhe të dëshiruara në të gjithë rajonin e Ballkanit” ka shtuar më tej Topi.