Gjykata e Posaçme shtyn gjyqin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, gjobit avokatët me 5 mijë lekë

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 15 tetor seancën e radhës në procesin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, pasi nuk ishte e mundur vijimi i gjykimit.
Në përfundim të seancës, gjykata gjobiti avokatët me nga 5 mijë lekë, ndërsa pezulloi edhe afatet e masës së sigurimit ndaj Ilir Metës.
Vetë Meta kundërshtoi vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit, duke deklaruar se ka qenë i pranishëm në proces që prej ditës së parë dhe se nuk është ai shkaku i përplasjes mes avokatëve dhe gjykatës.
“Sikurse e dini nga përvoja në këtë çështje, ashtu sikurse edhe prokurorët e dinë, unë kam qenë i pranishëm që prej ditës së parë. Në mënyrë abuzive përdoret mungesa e avokatëve për pezullimin e afateve të paraburgimit, në mënyrë që të mos më njihet asnjë ditë burg”, deklaroi Meta.
Ai tha se nuk e kupton konfliktin mes avokatëve dhe gjykatës dhe se nuk mund t’u kërkojë mbrojtësve të tij të ndërmarrin veprime që mund t’u kushtojnë licencën.
Në mungesë të kushteve për vijimin e seancës, Gjykata e Posaçme vendosi ta shtyjë procesin për 15 tetor, ndërsa ndaj avokatëve u vendos gjobë. Pas largimit të trupit gjykues nga salla, Meta deklaroi se, sipas tij, konflikti mes avokatëve dhe gjykatës është “i stisur nga shokët e Ergys Agasit”