E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës liron gardistin e 21 Janarit

Një javë pasi Gjykata e Lartë riktheu në qeli gardistin Sadik Çela, Shkalla e Parë ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij, pasi prokuroria nuk ka mundur të paraqesë prova të reja

Tiranë Gjykata e Tiranës ka vendosur dje të lirojë nga qelia dhe masa e sigurisë “arrest me burg” gardistin Sadik Çela, i cili u kthye në burg nga Gjykata e Lartë. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku gardisti ndodhet i shtruar prej disa ditësh. Në ambientet e Spitalit Ushtarak kanë qenë të pranishëm gjyqtari, përfaqësuesi i akuzës, mbrojtësi i të dyshuarit dhe një sekretare gjyqësore. Prokurori ka kërkuar zgjatjen e masës së sigurimit për gardistin i cili u rikthye në qeli me një vendim të Gjykatës së Lartë, pasi dyshohet për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta ndaj dy ose më shumë personave. Por një kërkesë e tillë është rrëzuar nga gjykatësi Mustafa, i cili në vendim u shpreh se përfaqësuesi i akuzës nuk ka paraqitur prova të reja për përfshirjen e gardistit Sadik Çela në ngjarjet e 21 Janarit, ku humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 7 të tjerë. Ky vendim i jep fund paraburgimit të gardistit, i cili u rikthye në qeli për të kryer edhe 10 ditë arrest, pasi u lirua nga Gjykata e Apelit për mungesë provash. Rreth një javë më parë Gjykata e Lartë vendosi që Çela të qëndrojë në qeli deri në plotësimin e afatit 30-ditor të caktuar nga Shkalla e Parë. Por vendimi i gjykatës u ekzekutua tri ditë me vonesë, ndërsa vetëm pas dy ditësh qëndrimi në qeli gardisti u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak për shkak të problemeve shëndetësore. Mësohet se i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale, çka i ka bërë të pamundur praninë në sallën e gjyqit dhe për këtë arsye gjykatësi, prokurori dhe avokati shkuan dje në ambientet e Spitalit Ushtarak. Sadik Çela së bashku me tre gardistë të tjerë u arrestuan në prill të këtij viti, si pjesë e grupit të zjarrit, që dyshohet se ka qëlluar mbi demonstruesit. Tri ditë më pas prokuroria kërkoi lirimin e njërit prej tyre, pasi arma e tij nuk kishte qëlluar më 21 Janar, ndërsa gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor për tre gardistët e tjerë, të cilët u liruan pak ditë më pas nga Gjykata e Apelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›