E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Arian Selimit, rrëfen bisedën e fundit me djalin

SHKRUAN: Ilda Lumani 29-09-2011 11:30

Çfarë ndodh në shtëpinë e mbytur në zi. Kthimi i të afërmve nga ShBA dhe rrëfimi i nënës për bisedën e fundit me të para se të vritej. I ati nuk vjen në varrim: S’kthehem në atë vend, për të varrosur tim bir

Njerëzit më të afërt të Arjan Selimit e kanë ende të vështirë të besojnë atë që ka ndodhur. Ata presin që sot ta përcjellin njeriun e tyre në banesën e fundit, por nuk dinë të shpjegojnë ngjarjen apo motivet rreth saj. Nëna Luçia dhe motra e Arjanit që mbeti i vrarë tri ditë më parë në kryeqytet, kanë mbërritur dje nga SHBA, ndërsa babai ka refuzuar të vijë: “Nuk dua të vij në atë vend të mallkuar për të varrosur tim bir. Nuk do të shkel kurrë aty, ” mësohet të ketë thënë ai. Ndërkohë, të vetmet gjëra që mund të tregojë nëna e Selimit, Luçia, mes lotëve, është një bisedë e fundit me të birin në Skype. Ajo thotë se djali i saj kishte qenë i qetë dhe se nuk kishte pasur asnjë frikë se mund t’i ndodhte diçka. Një bisedë më e gjatë është e pamundur të bëhet, ndërsa në banesën e Selimit mbretëron vaji dhe zia.

Nëna e Arjanit

Ndërsa qëndron mbi kokën e arkivolit të të birit, ajo ende nuk e beson atë që i ka ndodhur Arianit të saj. Mes fjalëve të dhimbjes dhe lotëve, gruaja që udhëtoi nga përtej oqeanit për të përcjellë djalin në banesën e fundit, rrëfen se atë ditë kishte folur me të në Skype. “Nuk mund ta besoj ende. Para se të ikja në punë, fola me të në skype dhe kur u ktheva nga puna mora vesh çfarë kishte ndodhur”, tregon ajo. “Akoma nuk e besoj, por ndihem më pak e vrarë, pasi e di që ishte i lumtur. Ma thoshte shpesh kur flisnim që ishte shumë mirë. E ndieja në zërin e tij lumturinë që kishte. Ishte i lumtur me Inisin, me bebin që do të lindte”, shton ajo, por nuk mund ta vijojë më bisedën, pasi lotët bëjnë të vetën.

Motra, e vetme e Arianit qëndron aty pranë, vështron të ëmën dhe arkivolin e të vëllait, ndërsa çdo gjë u duket si një ëndërr e keqe që do të përfundojë shumë shpejt.

Familjarët e të afërm hyjnë e dalin kohë pas kohe dhe në të tillë raste askush nuk mund të gjejë fjalë ngushëllimi për askënd. Shqetësimi i nënës së Arianit ndërkaq kalon tek Inisi. “Aman, më kini kujdes Inisin. M’i qëndroni pranë asaj”, thotë ajo, ndërsa përpiqet të mbajë lotët që nuk dinë të pushojnë. Më tej ajo shton se i biri nuk kishte treguar frikë dhe as kishte pasur shqetësime. “Ai ka qenë i qetë dhe nuk ka pasur frikë dhe besuar kurrë se do t’i ndodhte gjë në këtë jetë. Kishte shumë plane për të ardhmen, ishte i ri... nuk duhet të kishte ikur kaq shpejt, kishte shumë gjëra për të bërë në këtë jetë”, rrëfen ajo gjithmonë duke u ndërprerë nga lotët.

Ndërkohë për Inis Gjonin, të fejuarën e Arian Selimit, kjo ishte goditja më e madhe që mund të merrte. Jeta e saj në krah të Arjan Selimit pas daljes së tij nga burgu zgjati vetëm një vit. Ajo pret një vajzë që do të lindë në muajin janar dhe ky është shqetësimi i të gjithëve në këto ditë zie në shtëpinë e Inisit, ndërsa ajo vetë ende nuk e beson atë çfarë i ka ndodhur.

Selimi përcillet sot për në banesën e fundit

I ekzekutuar në rrethana misterioze poshtë apartamentit ku jetonte, Arjan Selimi (Armand Andoni) do të përcillet sot në orën 10:00 për në banesën e fundit, rreth tri ditë pas vrasjes së tij. Pasditen e djeshme kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara e ëma e Selimit, daja i tij dhe e motra në Shqipëri dhe ka qenë pikërisht mbërritja e tyre nga Shtetet e Bashkuara ajo që ka bërë që data e varrimit të fiksohej për ditën e sotme. Pasditen e djeshme trupi i Selimit është përcjellë nga morgu i Tiranës drejt shtëpisë ku jetonte. Të afërm dhe rrethi shoqëror i Selimit kanë qëndruar në shtëpinë e tij këto dy ditë, në pritje të familjarëve nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë arritur të sigurojnë biletat e udhëtimit nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë vetëm ditën e djeshme. Arjan Selimi u ekzekutua mbrëmjen e së hënës poshtë apartamentit të tij, ndërsa të gjithë miqtë dhe të afërmit e tij kanë mohuar në mënyrë kategorike se ai mund të kishte patur konflikte apo probleme të hapura me dikë. Vrasja e tij tronditi opinionin publik për shkak se emri i Selimit ishte bërë i njohur si për lidhjen me artisten Inis Gjoni si dhe për faktin se në vitin 2004 ai u akuzua dhe u arrestua si kreu i një organizate ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike.

Hetimet për vrasjen e Selimit ende pa pistë konkrete

Policia e Tiranës nuk ka ende një pistë hetimore të qartë mbi vrasjen e Arjan Selimit, ndërsa të dhënat operative të mbledhura deri më tani ende nuk kanë dhënë një orientim të qartë mbi motivet e vrasjes, ndonëse pista kryesore ngelet ajo e konflikteve për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike. Miqtë e Selimit nga ana e tyre kanë deklaruar se ai nuk ka patur kurrfarë konflikti. Si një ndër njerëzit e fundit që u shoqërua me Arjan Selimin, Sokol Koçiu ka treguar dje momentet e fundit të 37-vjeçarit. Koçiu ka saktësuar faktin se në sekondat e fundit të jetës ka spikatur prezencën e një personi të dyshimtë pranë lokalit ku ishin ulur dhe është çuar menjëherë për ta ndjekur. “Unë isha bashkë me të dhe bashkëshorten time. Për një moment, Arjanit një person iu duk i dyshimtë, që nuk ishte i lagjes dhe e deklaroi që ky nuk është i lagjes. E ndoqi nga pas përreth pallatit, e ndoqi për nja 30 sekonda, pastaj u dëgjuan breshëritë e automatikut’, është shprehur Koçiu. Sokol Koçiu dhe Selimi kanë edhe një miqësi mes tyre, e konservuar që prej kohës kur të dy janë njohur në burg. Koçiu ka deklaruar dje se e takonte thuajse çdo javë në të njëjtin vend Arjan Selimin, duke shtuar se ky i fundit në asnjë moment nuk ka reflektuar apo shprehur qoftë dhe problemin më të vogël gjatë bisedave mes tyre. “Absolutisht asnjë shqetësim nuk ka shprehur. Mënyra sesi rrinte në shtëpi , i lirë pa asnjë problem, nga dy orë, tri orë. Kjo nuk ishte hera e parë e takimit, të paktën një herë në javë vija e takoja këtu, se e kisha dhe mik dhe ja po e njëjta situatë, kafen atje përjashta. Të paktën diçka edhe mund të më thoshte, nga diçka ruhej, por nuk më ka thënë absolutisht ndonjëherë asgjë se mund të ketë patur ndonjë konflikt me dikë’, - është shprehur Koçiu .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›